Tiranë, 14 tetor, Zhurnal.mk – Presidenti Bajram Begaj priti sot në një takim në Pallatin e Brigadave, kryetarin e Bordit të Fondacionit Shqiptaro – Amerikan të Zhvillimit (AADF), Michael Granoff dhe anëtarë të tjerë të këtij Bordi.
Presidenti Begaj vlerësoi kontributin e fondacionit në zhvillimin e ekonomisë së vendit dhe rëndësinë e vijimit të projekteve të tij në arsim, turizëm, trashëgimi kulturore, bujqësi dhe forcimin e kapaciteteve profesionale e institucionale.
“Me projektet tuaja, ju nuk po ndikoni vetëm në zhvillimin e vendit, por nëpërmjet standardeve që ju aplikoni po transformoni mendësinë e punës”, theksoi Begaj.
Në mënyrë të veçantë, Kreu i Shtetit vlerësoi projektin TOKA, që synon modernizimin e bujqësisë, rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë, forcimin e sigurisë ushqimore dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian.
Në fokus të bisedimeve ishte edhe investimi që ky Fondacion nëpërmjet projekteve të tij bën në zhvillimin e kapitalit njerëzor përmes bursave, praktikave profesionale, bashkëpunimit akademik ndërkombëtar dhe programeve për aftësitë në Inteligjencën Artificiale, duke krijuar më shumë mundësi për të rinjtë dhe duke forcuar lidhjet me Diasporën.
“Ju me anë të këtyre projekteve po ndihmoni në krijimin e mundësive më të mira që të rinjtë tanë të zhvillojnë një karrierë të suksesshme në Shqipëri”, nënvizoi Presidenti Begaj.
Presidenti vlerësoi, gjithashtu, kontributin e fondacionit përmes projekteve në sigurinë kibernetike, si dhe projektet për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, promovimin e turizmit dhe zhvillimin ekonomik lokal, përfshirë Butrintin dhe lagjen “Kala” të Elbasanit.
