Shkup, 22 tetor, Zhurnal.mk – Sot, para deputetëve të Komisionit të Financimit dhe Buxhetit, ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, prezantoi Propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Buxhetit për vitin 2026, me të cilin projeksionet buxhetore harmonizohen me kushtet e reja ekonomike, arritjet gjatë vitit dhe dinamikën reale të realizimit të shpenzimeve.
Ministrja, në ekspozenë e saj, theksoi se ribalanci i dytë është reagim në kohë ndaj pasigurisë globale, tensioneve gjeopolitike dhe çrregullimeve në tregjet energjetike, të cilat ndikojnë në zhvillimet ekonomike dhe të ardhurat buxhetore.
“Me ribalancin e dytë të Buxhetit për vitin 2026, i harmonizojmë projeksionet me zhvillimet reale ekonomike, realizimin e deritanishëm dhe efektet e masave të ndërmarra gjatë vitit. Kjo është qasje e përgjegjshme në kushte pasigurie, që t’i korrigjojmë projeksionet aty ku e kërkon realiteti, t’i ulim shpenzimet aty ku ka hapësirë për racionalizim, por njëkohësisht t’i ruajmë mjetet për detyrimet ligjore, shërbimet shëndetësore, mbrojtjen sociale dhe projektet prioritare zhvillimore”, theksoi ministrja.
Me ndryshimet e propozuara, të ardhurat e përgjithshme buxhetore janë projektuar në 374.2 miliardë denarë, që paraqet ulje prej rreth 5.3 miliardë denarësh krahasuar me projeksionet paraprake. Shpenzimet e përgjithshme buxhetore ulen për të njëjtën vlerë dhe janë planifikuar në 420.5 miliardë denarë. Deficiti buxhetor mbetet i pandryshuar në 46.3 miliardë denarë, përkatësisht 4.1% e PBB-së.
Projeksioni i rritjes ekonomike për vitin 2026 është 3.5%.
Në anën e të ardhurave, ulja më e theksuar është te akcizat, nga 34.1 në 30.4 miliardë denarë, si rezultat i masave për uljen e akcizave për karburantet. Në anën e shpenzimeve, parashikohet racionalizim dhe shfrytëzim më efikas i mjeteve publike.
Shpenzimet kapitale zvogëlohen për shkak të dinamikës së prolonguar të realizimit të projekteve të caktuara dhe realizimit më të ulët të mjeteve nga të ardhurat vetanake, donacionet dhe huatë.
