Mickoski: Nuk vrapoj në 100 metra, por në maratonë për negociatat presionet dhe Bullgarinë

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 23 tetor, Zhurnal.mk – Kryeministri Hristijan Mickoski, në akademinë solemne me rastin e 23 Tetorit, Ditës së Luftës Revolucionare Maqedonase, drejtoi kritika të ashpra ndaj Bullgarisë, paralajmëroi për përpjekje të mundshme për destabilizimin e Maqedonisë së Veriut dhe akuzoi një pjesë të opozitës se për para dhe premtime për poste mund të përfshihet në provokime politike.

Në fjalimin e tij, Mickoski vlerësoi se Maqedonia e Veriut po kalon rrugën më të gjatë dhe më të vështirë drejt Bashkimit Evropian, të shoqëruar me kushte të shumta, vonesa dhe, siç tha ai, padrejtësi të vazhdueshme.

“Të mëdhenjtë bëjnë atë që duan, ndërsa të vegjlit atë që duhet. Kjo nuk është një frazë nga librat shkollorë, por një pasqyrim i politikës reale të sotme”, deklaroi kryeministri, duke shtuar se shteti duhet të veprojë me mençuri dhe durim.

Ai akuzoi Bullgarinë se pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian ka filluar t’i përdorë mekanizmat evropianë për të bllokuar procesin eurointegrues të Maqedonisë së Veriut. Sipas tij, para hyrjes në BE, fqinji lindor nuk i ngrinte çështjet e bullgarëve në Kushtetutën maqedonase dhe të figurave historike në mënyrën që i ngre sot.

“Fqinji ynë lindor deri në hyrjen e tij në Bashkimin Evropian nuk kishte asnjë vërejtje për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Deri atëherë nuk interesohej për bullgarët, për të cilët sot pretendon se është shumë e rëndësishme të jenë pjesë e Kushtetutës sonë”, tha Mickoski.

Megjithatë, kryeministri theksoi se braktisja e negociatave me Bashkimin Evropian nuk është zgjidhje, pasi anëtarësimi do t’i mundësonte vendit të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në procesin e vendimmarrjes evropiane.

“Shpesh na thonë: ‘Lërini negociatat!’ Është e lehtë të thuhet, por në këtë mënyrë heqim dorë nga e vetmja mundësi për të hyrë në klub dhe për të biseduar si të barabartë në të njëjtën tryezë”, porositi ai.

Mickoski dërgoi mesazh edhe për ata që, sipas tij, përpiqen ta mohojnë historinë maqedonase. Duke iu referuar situatës së sigurisë në rajon, ai paralajmëroi se paqëndrueshmëria në Evropë dhe në Ballkan mund të krijojë rreziqe shtesë për vendin.

“Tashmë Ballkani nuk është i vetmi fuçi baruti. Përkundrazi, Evropa po bëhet një vullkan i trazuar. Gjithnjë e më pak dëgjohet zëri i arsyes, ndërsa çdo ditë shohim protesta dhe forma të ndryshme dhune në Evropë dhe te fqinjët tanë”, deklaroi ai.

Kryeministri veçoi edhe aktivitetet e shërbimeve të sigurisë në Ballkan, duke shprehur dyshimin se struktura të caktuara mund të përpiqen ta përfshijnë Maqedoninë e Veriut në problemet rajonale.

“Në Ballkan, shërbimet nuk ndalojnë kurrë së vepruari. Nuk do të çuditesha nëse do të kishte të tillë që do të përpiqeshin të na përfshijnë në problemet e tyre ose të transferojnë një pjesë të realitetit të tyre në përditshmërinë tonë”, u shpreh Mickoski.

Në këtë kontekst, ai akuzoi edhe përfaqësues të paidentifikuar të opozitës.

“Ka disa nga opozita që për para dhe premtime të rreme për poste dinë të bëjnë çudira”, tha kryeministri, pa përmendur emra konkretë apo prova për këto pretendime. Ai u bëri thirrje qytetarëve të mos bien pre e provokimeve dhe e temave, siç i quajti ai, të imponuara artificialisht dhe të ekzagjeruara në aspektin etnik.

Në pjesën e fjalimit kushtuar standardit jetësor, Mickoski pranoi se një numër i madh qytetarësh po përballen me vështirësi financiare dhe pasiguri.

“E di se ka qytetarë të lodhur nga premtimet. E di se ka njerëz që punojnë ndershmërisht, por në fund të muajit përsëri llogarisin se çfarë mund të paguajnë dhe çfarë duhet të shtyjnë për më vonë”, deklaroi ai.

Ai foli edhe për shqetësimin e prindërve se fëmijët e tyre, pavarësisht suksesit të arritur, mund ta braktisin vendin në kërkim të një të ardhmeje më të mirë.

Duke u ndalur te puna e Qeverisë, Mickoski tha se po ndërtohen gjashtë segmente autostradash, dy gazsjellës dhe një linjë transmetimi energjetik, se po investohet në konviktet studentore dhe infrastrukturën arsimore, ndërsa për komunat janë ndarë më shumë se gjysmë miliardi euro për mbi 1.200 projekte. Ai pretendoi gjithashtu se Maqedonia e Veriut ka inflacionin më të ulët në Evropë dhe në rajon.

Në fund të fjalimit, kryeministri theksoi se vlera e vërtetë e lirisë shihet në jetën e përditshme të qytetarëve, në barazinë para ligjit dhe në mundësinë që të rinjtë ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në vendin e tyre.

“Liria merr kuptim të plotë kur qytetari mund të flasë lirshëm, të fitojë me ndershmëri dhe ta planifikojë jetën me qetësi. Kur ligji vlen njësoj për njeriun me ndikim dhe për qytetarin e zakonshëm. Kur libreza partiake e humb fuqinë përballë dijes, punës dhe aftësisë”, tha Mickoski.

Ai e përmbylli fjalimin me mesazhin se brezat e sotëm kanë detyrimin të ndërtojnë një shtet më të fortë dhe më të drejtë për fëmijët e tyre, duke theksuar se kjo është përgjegjësia më e madhe ndaj revolucionarëve maqedonas.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër