Shkup, 23 tetor, Zhurnal.mk – Shoqata AJO ka nisur një nismë të re për shënimin e 22 tetorit si “Digital Safe Girls Day”, me synimin për të rritur sigurinë digjitale të vajzave dhe grave dhe për ta shtrirë këtë iniciativë edhe në komuna të tjera.
Nisma, e mbështetur nga Misioni i OSBE-së në Shkup, u shënua për herë të parë në Çair, ku më 22 tetor, në Bushi Resort, u mblodhën vajza dhe gra të reja, gazetare, eksperte dhe përfaqësuese të institucioneve për të diskutuar sfidat e sigurisë në internet dhe për të hartuar rekomandime konkrete.
Aktiviteti u përqendrua te siguria online, të drejtat digjitale, raportimi i rasteve dhe kërkimi i ndihmës, si dhe te rëndësia e përfshirjes së djemve dhe burrave të rinj në promovimin e maskulinitetit pozitiv.
Në panelin “Të sigurta dhe me vetëbesim online”, të moderuar nga Arlinda Baftiu, përvojat dhe këndvështrimet e tyre i ndanë Marija Mitevska, gazetare hulumtuese në Telma dhe kryetare e Rrjetit të Grave në Media “E barabartë”; Getoarbë Mulliqi, drejtoreshë ekzekutive e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës; dhe Lume Dervishi, gazetare në Alsat dhe anëtare e të njëjtit rrjet.
Pjesë e aktivitetit ishte edhe një punëtori praktike e udhëhequr nga Leunora (Nora) Kaliqi, me mbështetjen e Diana Zhupanoskës dhe Eva Jovanovës nga Misioni i OSBE-së në Shkup.
Gjatë punëtorisë, pjesëmarrëset u informuan për mënyrat e mbrojtjes së privatësisë dhe llogarive online, identifikimin e profileve të rreme dhe përmbajtjeve çorientuese, si dhe përdorimin e përgjegjshëm të inteligjencës artificiale. Vajzat hartuan gjithashtu rekomandime drejtuar shkollave, institucioneve, familjeve dhe të rinjve.
Nga AJO falënderuan Misionin e OSBE-së në Shkup për mbështetjen dhe ekspertizën, Komunën e Çairit për përkrahjen, si dhe të gjitha panelistet dhe pjesëmarrëset që kontribuuan në realizimin e aktivitetit.
Shoqata theksoi se kjo nismë shënon vetëm fillimin e një rrugëtimi që synon të fuqizojë vajzat dhe gratë dhe të promovojë një mjedis digjital më të sigurt për të gjithë.
