Qafë Thanë, 24 tetor Zhurnal.mk – Prej dy ditësh janë shtuar kontrollet në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës për shtetasit shqiptarë që hyjnë në Shqipëri nga Maqedonia e Veriut.
Sipas burimeve policore, në hyrje të pikës kufitare janë angazhuar efektivë të Policisë Kufitare dhe të Policisë së Shtetit, të cilët po ushtrojnë kontrolle të imtësishme në automjete.
Kontrollet, sipas të njëjtave burime, lidhen me dyshimet për transportimin e sendeve të ndaluara, si dhe me mundësinë që grupe të caktuara qytetarësh nga Maqedonia e Veriut të udhëtojnë drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestës së paralajmëruar.
Burimet shtojnë se policia ka pasur informacione paraprake për lëvizjen e këtyre grupeve drejt kryeqytetit, çka ka sjellë shtimin e masave të kontrollit në këtë pikë kufitare.
Protestat në Tiranë nisën më 13 tetor, fillimisht me kërkesat e studentëve për përmirësimin e kushteve në universitete, uljen e kostove të studimeve dhe mbështetje më të madhe për studentët. Më pas, protestat u zgjeruan dhe u shoqëruan me kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa në disa raste pati përplasje me policinë, dëmtime të pronës dhe arrestime. Sipas të dhënave të publikuara, gjatë dhjetë ditëve të protestave janë shoqëruar 646 persona, prej të cilëve 283 janë arrestuar, ndërsa 363 po procedohen penalisht në gjendje të lirë. Për sot, më 24 tetor, është paralajmëruar protestë kombëtare para Kryeministrisë, ku pritet të marrin pjesë studentë nga qytete të ndryshme, pedagogë, mjekë, artistë dhe përfaqësues të bizneseve.
