Shkup, 24 tetor Zhurnal.mk – Paga mesatare neto në vend në gusht arriti në 48.733 denarë, me një rritje prej 7,6 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Ndërkohë, çmimet e produkteve dhe shërbimeve mbeten një nga faktorët që ndikojnë në shpenzimet e përditshme të familjeve. Për qytetarët, çështja nuk është vetëm nëse pagat janë rritur, por edhe nëse të ardhurat mujore mjaftojnë për të mbuluar nevojat bazë.
“Jo aspak sepse inflacioni është shumë i madh dhe çmimet të larta.Më e ulëta them të jetë 60 mijë denarë kurse mesatarja duhet 70-72 mijë denarë për shkak se nuk mund t’i arrijmë pagesat.” Tha një qytetar.
“Nuk është e mjaftueshme për shkak se shumë është shtrenjtë. Minimalja të jetë 36–40 mijë aty ,mesatarja 60 mijë denarë, “tha një tjetër qytetar.
“Jo sepse çmimet janë rritur më shumë se këto përqindje se sa rritja e pagës mesatare. Ndikon, sigurisht që ndikon është e vështirë të përballohet me kaq pak mjete financiare. Sipas meje paga mesatare duhet të jetë rreth 1 mijë euro,” tha qytetari.
Diferenca mes pagave dhe shpenzimeve mujore shihet edhe në shportën minimale sindikale, e cila në tetor arriti në 70.358 denarë, ose 926 denarë më shumë se një muaj më parë. Kjo shumë është rreth 21.600 denarë më e lartë se paga mesatare neto e cila është 48.733 denarësh. Ndërkaq, për një familje katëranëtarëshe që jeton me qira, shpenzimet minimale mujore arrijnë në 85.733 denarë.
