Shkup, 24 tetor Zhurnal.mk – Kryetari i OEMVP-së, Sami Morina, në emisionin “Pas Numrave” në TVM2 , theksoi se problemet infrastrukturore në zonën industriale të Vizbegut vazhdojnë prej dekadash, pavarësisht ndërrimit të qeverive.
Ai përmendi mungesën e infrastrukturës së përshtatshme rrugore, ndriçimit publik, transportit publik, rrjetit elektroenergjetik dhe gazifikimit, duke shprehur shqetësimin se nuk ka sinjale konkrete për përmirësimin e gjendjes në një të ardhme të afërt.
Zona industriale e Vizbegut realizon qarkullim të përgjithshëm që vlerësohet në 1.8 miliardë euro, ndërsa në të punojnë rreth 4.000 persona. Kryetari i Shoqatës së Afaristëve të Vizbegut, Dragan Cvetanovski, në emisionin “Pas Numrave”, theksoi rëndësinë ekonomike të kësaj zone dhe kontributin e saj për shtetin.
Sipas Cvetanovskit, zhvillimi i zonës është rezultat i një procesi 30-vjeçar, gjatë të cilit ajo është shndërruar në një hapësirë të rëndësishme ekonomike me biznese nga sektorë të ndryshëm. Ai vlerësoi se, duke pasur parasysh numrin e të punësuarve dhe qarkullimin që gjeneron, interesi i shtetit për këtë zonë duhet të jetë i madh.
