Bozhinovska paraqiti rezultatet në energjitikë dhe miniera

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 26 tetor, Zhurnal.mk –  Ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, në fjalimin e saj para Kuvendit, lidhur me interpelancën për punën e saj, paraqiti rezultatet e Ministrisë dhe iu përgjigj akuzave për menaxhimin e sektorit energjetik, çmimin e energjisë elektrike dhe shfrytëzimin e lëndëve të para minerale. Ajo u bëri thirrje deputetëve që përgjegjësinë ta vlerësojnë në bazë të kompetencave ligjore, dokumenteve dhe vendimeve konkrete, si dhe të mos e miratojnë interpelancën. Bozhinovska theksoi se kontrolli parlamentar është pjesë përbërëse e funksionimit demokratik dhe se interpelanca është një mundësi për t’u dhënë qytetarëve përgjigje
konkrete për politikat e ndërmarra dhe rezultatet e arritura.

„ E respektoj të drejtën tuaj për të kërkuar përgjegjësinë time. Do t’ju kërkoj edhe juve të merrni përgjegjësi për saktësinë e pretendimeve mbi të cilat e kërkoni atë”, u shpreh ministrja.
Në përgjigjen ndaj akuzave, ajo bëri dallimin mes kompetencave të Ministrisë, Qeverisë, ESM- së, MEPSO-s, Komisionit Rregullator për Energjetikë dhe institucioneve të tjera. Ajo theksoi se është përgjegjëse për politikën energjetike, planifikimin, sigurinë e furnizimit, burimet e ripërtëritshme, efikasitetin energjetik, minierat dhe lëndët e para minerale, por se Ministria nuk i menaxhon prokurimet operative, kontratat tregtare dhe prodhimin e ESM-së. Sa u përket vendimeve për tarifat, ajo theksoi rolin e pavarur të KRRE-së dhe shpjegoi se Ministria nuk mund t’i diktojë se çfarë tarife të miratojë.
„ Përgjegjësia nuk përcaktohet duke i ngatërruar institucionet. Ajo përcaktohet me ligj, dokumente dhe vendime konkrete”, theksoi Bozhinovska.
Ajo u ndal veçanërisht te procedura për përzgjedhjen e furnizuesit universal, duke theksuar se vendimi për nisjen e saj është marrë më 17 tetor 2023, komisioni është formuar më 7 nëntor 2023, ndërsa ankandi dhe përfundimet e Qeverisë për përzgjedhjen janë të prillit 2024.

Në dallim nga kjo kronologji, Ministria e Energjetikës është themeluar në qershor 2024. „Si mund të ma atribuoni organizimin e një procedure që nisi dhe përfundoi para se të ekzistonte
fare Ministria?”, pyeti Bozhinovska, duke shtuar se as nuk e drejtoi komisionin, as nuk ishte ministre kur ai mori vendimin. Lidhur me pretendimet për shitjen e ESM-së, ministrja theksoi se Ministria nuk ka marrë asnjë
vendim për shitjen e kompanisë dhe kërkoi që pretendimet për privatizimin e saj të mbështeten me një akt dhe procedurë konkrete. Duke folur për çmimin e energjisë elektrike, Bozhinovska shpjegoi politikën për mbrojtjen e amvisërive nga goditjet e çmimeve. Sipas fjalimit të saj, çmimi me të cilin ESM-ja siguron energji për furnizimin universal është pjesë e politikës publike për ta mbajtur energjinë elektrike të përballueshme për qytetarët. Ajo bëri dallimin mes kostos së prodhimit, çmimit të shitjes dhe tarifës së rregulluar, duke theksuar se ato nuk duhet të paraqiten si e njëjta kategori. Duke iu referuar të dhënave sektoriale të dorëzuara, ajo tha se kostoja e prodhimit të ESM-së është ulur nga mbi 130 në rreth 100 euro për megavat-orë. Ndër rezultatet kryesore, ministrja veçoi Ligjin e ri për Energjetikën. Sipas të dhënave që paraqiti, gjatë procedurës parlamentare u pranuan 64 nga 74 amendamentet e paraqitura, pas konsultimeve publike dhe harmonizimit me Komunitetin e Energjisë. Ajo theksoi se kuadri i ri rregullon magazinimin e energjisë, komunitetet energjetike dhe pjesëmarrjen më aktive të konsumatorëve, ndërsa kompanive u siguron rregulla më të qarta për investime. Bozhinovska foli edhe për Planin Kombëtar për Energjinë dhe Klimën për periudhën 2025–2030, i cili përmban 61 masa, si dhe për planifikimin vjetor të objekteve të reja energjetike. Për vitin 2026, ajo përmendi planifikimin e rreth 4.417 megavateve dhe 96 sistemeve të magazinimit, duke theksuar se realizimi varet nga kushtet e mëtejshme për kyçje, lejet dhe zbatimi i projekteve.

Në pjesën për infrastrukturën, ajo veçoi certifikimin përfundimtar të MEPSO-s në vitin 2026, vënien në funksion të transformatorit të ri në Manastir 2 dhe zgjidhjen e çështjes së kahershme të
regjistrimit të objekteve në pronësi të kompanisë. Ajo përmendi gjithashtu vazhdimin e punimeve për interkoneksionin me Shqipërinë dhe nënstacionin e Ohrit. Zhvillimin e infrastrukturës së gazit ajo e paraqiti si mundësi për të pasur më shumë drejtime furnizimi dhe më pak varësi nga një lidhje e vetme. Ajo veçoi interkonektorin me Greqinë, marrëveshjen për pjesën maqedonase të lidhjes me Serbinë, anëtarësimin në kuadrin e Korridorit
Vertikal të Gazit dhe punën për mundësinë e lidhjes me Kosovën. Për interkonektorin me Greqinë, ajo tha se pas procedurës së re të tenderimit, oferta më e ulët u ul nga 70,3 në 59,95
milionë euro. „ Këto janë autostradat energjetike të shtetit”, u shpreh Bozhinovska, duke theksuar rëndësinë e tyre për industrinë, konkurrencën në furnizim dhe shërbimet e ardhshme të tranzitit.
Në kuadër të pjesës sociale të politikës energjetike, ministrja paraqiti masat për amvisëritë që e kanë të vështirë t’i përballojnë shpenzimet e energjisë. Ajo tha se në programin për vitin 2025 janë lëshuar 3.750 vauçerë, nga 28.000 denarë secili, me vlerë të përgjithshme prej 105 milionë denarësh, ndërsa në programin për vitin 2026 janë realizuar 480 vauçerë elektronikë. Sipas fjalimit të saj, masa e këtij viti u dedikohet amvisërive me persona dhe fëmijë me aftësi të kufizuara.
Bozhinovska veçoi edhe planin për rinovimin energjetik të 14 objekteve publike me rreth 103.000 metra katrorë, ku punojnë 33 institucione. Sa i përket tranzicionit të drejtë në Manastir dhe Kërçovë, ajo përmendi 676 persona që kanë përfunduar programe trajnimi me ESM-në dhe BERZH-in, si dhe një platformë me 84 projekte, me vlerë të parashikuar prej rreth 1,79 miliardë eurosh.
Në sektorin minerar, ministrja paraqiti rritjen e tarifave të koncesionit dhe shtimin e të ardhurave si rezultate të vlerësimit të burimeve shtetërore. Sipas të dhënave të paraqitura, tarifa për lëndët e
para minerale metalike u rrit nga dy në katër për qind, për mermerin nga një në pesë për qind, ndërsa për kategorinë përkatëse të lëndëve të para jometalike nga 11 në 30 denarë për ton. Të
ardhurat e përgjithshme, siç tha ajo, u rritën nga rreth 561,5 milionë denarë në vitin 2024 në rreth 1,222 miliardë denarë në vitin 2025.

Ajo theksoi se rritja e të ardhurave nuk e heq detyrimin për të vepruar ndaj çdo borxhi të papaguar. Në këtë kontekst, ajo përmendi 53 kontrata koncesioni të ndërprera dhe forcimin e kapacitetit inspektues me tre inspektorë shtesë në vitin 2026. „ Ky është mesazhi se koncesioni nuk është e drejtë pa kushte dhe se çdo detyrim duhet të respektohet”, theksoi Bozhinovska. Ministrja e lidhi mbështetjen për investimet me mbrojtjen e mjedisit dhe përgjegjësinë financiare të koncesionarëve. Ajo theksoi se në kuadrin e ri ligjor propozohet mbulim financiar prej 100 për qind të kostove të vlerësuara, sipas planit përkatës për mbetjet minerare dhe detyrimeve që lidhen me to.
„Nuk duam të rrezikohet mjedisi dhe nuk duam t’u shkaktojmë dëm banorëve dhe shtetit”, u shpreh ajo. Shtoi se njohja e potencialit gjeologjik nuk përbën leje paraprake për hapjen e një miniere.
Në fjalimin e saj, Bozhinovska veçoi rezultatin prej 100 për qind të Ministrisë në Indeksin e Transparencës Aktive për vitin 2026. Ajo përsëriti se Ministria mbetet e hapur për deputetët dhe
se kritika duhet të jetë pjesë e kontrollit demokratik, duke kërkuar përgjegjësi për saktësinë e retendimeve të paraqitura. „Mosmarrëveshja politike nuk mund të shpallet paligjshmëri. Vizioni i ndryshëm për
energjetikën nuk mund të shpallet shkelje e Kushtetutës. Dhe një akuzë nuk mund të bëhet fakt vetëm pse është shkruar në interpelancë”, theksoi Bozhinovska.

Ministrja e përfundoi fjalimin me mesazhin se do të vazhdojë të marrë vendime brenda kompetencave të saj dhe të japë llogari për to para qytetarëve dhe Kuvendit. „ Funksioni është i përkohshëm. Përgjegjësia ndaj shtetit mbetet. E vërteta nuk përcaktohet nga numri i kritikave të shkruara, por nga fuqia e provave”, përfundoi Bozhinovska.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër