Shkup, 03 nëntor, Zhurnal.mk – Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Vllado Buçkovski, vlerëson se mbështetja për BDI-në do të rritet, ndërsa ajo për VLEN-in do të vazhdojë të bjerë. Sipas tij, mobilizimi etnik i shqiptarëve dhe votat e diasporës kanë ndikuar në përmbysjen e rezultatit zgjedhor në Bërvenicë, transmeton Zhurnal.mk.
Në një intervistë për emisionin “360 Gradë” në MTV, Buçkovski tha se pret që dallimi ndërmjet BDI-së dhe VLEN-it të thellohet edhe më shumë në periudhën e ardhshme.
“Ky është trendi. BDI-ja do të rritet, VLEN-i do të vazhdojë të bjerë, ndërsa VMRO-DPMNE-ja do të ketë dy partnerë koalicioni, mbështetja e të cilëve lëviz brenda kufijve të gabimit statistikor”, deklaroi Buçkovski, duke iu referuar VLEN-it dhe ZNAM-it.
Duke komentuar rezultatin në Bërvenicë, ish-kryeministri vlerësoi se mobilizimi i votuesve shqiptarë mbi baza etnike, si dhe votat e diasporës, kanë kontribuar në përmbysjen e rezultatit.
Sipas tij, është pak e mundshme që VMRO-DPMNE-ja të arrijë të përsërisë nivelin e mbështetjes që kishte gëzuar kryetari i mëparshëm i komunës, si nga votuesit maqedonas, ashtu edhe nga ata shqiptarë.
Buçkovski vlerëson se rënia e mbështetjes për VLEN-in shpjegon edhe arsyen pse zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk janë në interes të këtij koalicioni.
Ai paralajmëroi se partnerët më të vegjël të koalicionit qeverisës mund të përballen me vështirësi edhe më të mëdha nëse mandati qeveritar vazhdon deri në përfundimin e rregullt.
Sipas Buçkovskit, nëse qeveria e përfundon mandatin e plotë, deri në zgjedhjet e rregullta, VMRO-DPMNE-ja mund ta dobësojë aq shumë pozitën e partnerëve të saj, saqë do të vihet në pikëpyetje nëse ata do të arrijnë të sigurojnë mandate deputetësh në zgjedhjet e ardhshme.
