Brukseli me vërejtje në raportin për Maqedoninë: Nuk ka ndryshime kushtetuese dhe as përparim në luftën kundër korrupsionit

Nga I.A
A+ A-
Rivendos

Shkup, 4 nëntor, Zhurnal.mk – Maqedonia e Veriut ka arritur përparim të konsiderueshëm në zbatimin e Agjendës Reformuese, por për vazhdimin e procesit eurointegrues është i domosdoshëm miratimi i ndryshimeve kushtetuese, thuhet në Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2026.

Eurokomisarja për Zgjerim, Marta Kos, porositi se qëllimi i Komisionit mbetet hapja e grupit të parë të kapitujve negociues menjëherë pas përmbushjes së kushteve.

“Tani kjo varet nga Maqedonia e Veriut”, theksoi Kos.

Në raport konstatohet se nuk janë bërë përpjekje për miratimin e ndryshimeve kushtetuese të parapara me konkluzionet e Këshillit të 18 korrikut 2022, me të cilat në Kushtetutë duhet të përfshihen edhe qytetarët që janë pjesë e popujve të tjerë, mes tyre edhe bullgarët.

Komisioni Evropian vlerëson se është arritur një përparim i caktuar në reformat në gjyqësor, por pavarësia dhe autonomia financiare e gjyqësorit vazhdojnë të minohen nga ndërhyrjet e vazhdueshme të degëve të tjera të pushtetit, si dhe nga mungesa serioze e burimeve financiare dhe njerëzore.

Në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit nuk është shënuar përparim, vlerëson KE-ja, duke theksuar se korrupsioni mbetet i përhapur dhe paraqet shkak serioz për shqetësim.

Po ashtu vihet në dukje se ndryshimet në Kodin Penal të janarit 2026 nuk i kanë eliminuar pasojat negative të ndryshimeve të vitit 2023.

Sa i përket institucioneve demokratike, KE-ja thekson se polarizimi politik e ngadalëson miratimin e ligjeve të rëndësishme reformuese, ndërsa në një pjesë të madhe të kapitujve negociues progresi është i kufizuar ose mungon plotësisht.

Ka vërejtje edhe për presionet ndaj gazetarëve, mbrojtjen e pamjaftueshme të të drejtave të njeriut dhe zbatimin e rekomandimeve zgjedhore. Në fushën e lirisë së shprehjes nuk është shënuar përparim, ndërsa servisi publik radiodifuziv dhe organi rregullator vazhdojnë të përballen me sfida që lidhen me autonominë financiare dhe administrative.

artikuj të ndërlidhura