Shkup, 5 nëntor, Zhurnal.mk – Në 31-vjetorin e ndarjes nga jeta të profesorit Anton Çetta, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka kujtuar figurën dhe kontributin e tij në Lëvizjen për Pajtimin e Gjaqeve, duke e cilësuar si një nga personalitetet emblematike të historisë kombëtare shqiptare.
Në mesazhin e tij përkujtimor, Ahmeti ka vlerësuar se profesori Çetta, me urtësi, përkushtim dhe autoritet moral, arriti të zgjojë ndërgjegjen kombëtare dhe të bashkojë shqiptarët në një periudhë të vështirë.
“Profesori Çetta arriti të zgjojë ndërgjegjen kombëtare, të bashkojë njerëzit dhe të shndërrojë faljen në një akt të lartë njerëzor e kombëtar”, ka shkruar Ahmeti.
Ai ka theksuar se një nga porositë më të rëndësishme të profesorit Çetta ishte se “gjaku nuk lahet me gjak”, duke nënvizuar se nderi ruhet përmes urtësisë dhe se bashkimi përbën themelin e qëndresës shqiptare.
“Vepra dhe porosia e tij mbeten të gjalla edhe sot. Anton Çetta nuk ishte vetëm një intelektual i madh, por një ndërgjegje e tërë kombit, trashëgimia e të cilit na obligon të kultivojmë solidaritetin, mirëkuptimin dhe unitetin”, ka theksuar më tej Ahmeti.
Në fund të mesazhit, kreu i BDI-së ka shprehur nderimin për jetën dhe veprën e profesorit: “Lavdi jetës dhe veprës së profesor Anton Çettës!”
