“Biseda për të ardhmen në 12:05”: E ardhmja evropiane nuk guxon të jetë monopol partiak

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 6 nëntor, Zhurnal.mk – Nisma “Biseda për të ardhmen në 12:05” kërkon miratimin e një strategjie të përbashkët shtetërore për përshpejtimin e integrimeve evropiane, duke vlerësuar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk duhet të përdoret për përplasje partiake dhe kalkulime politike.

Duke reaguar ndaj raportit më të ri të Komisionit Evropian për progresin e Maqedonisë së Veriut, nga nisma theksojnë se perspektiva evropiane është interes afatgjatë shtetëror dhe jo projekt i një qeverie apo partie politike. Sipas tyre, asnjë subjekt politik nuk mund të pretendojë të drejtë ekskluzive mbi procesin e eurointegrimeve dhe as të përvetësojë patriotizmin.

Shqetësim të veçantë, siç theksojnë ata, paraqesin vlerësimet e Brukselit për korrupsionin politik, ndryshimet në Kodin Penal të vitit 2023, gjendjen e lirive mediatike dhe treguesit ekonomikë. Si shembull për problemet në ekonomi, ata përmendin rimbursimin e TVSH-së, duke theksuar se nga çdo 100 denarë tatim të mbledhur, vetëm 14,3 denarë kthehen me kohë te ekonomia.

Nga nisma përshëndesin mbështetjen e qytetarëve për anëtarësim në BE, rezultatet në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, zbatimin e Agjendës Reformuese dhe harmonizimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian.

Megjithatë, ata vlerësojnë se progresi në këto fusha nuk mund t’i zëvendësojë reformat e domosdoshme në vend. Veçanërisht theksojnë nevojën për luftë më të fuqishme kundër korrupsionit, ndryshime në sistemin politik dhe reformim të legjislacionit zgjedhor, pa pritur anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.

Ndër kërkesat konkrete të nismës janë hartimi i një plani kombëtar për rikthimin e Maqedonisë së Veriut në grupin e vendeve me Shqipërinë dhe Malin e Zi në procesin e integrimit evropian, si dhe arritja e një marrëveshjeje politike dhe multietnike për ndryshimet e nevojshme kushtetuese.

“Nuk mund të ketë integrim të suksesshëm evropian pa reforma të thella të brendshme dhe pa konsensus të gjerë politik e shoqëror”, vlerësojnë nga iniciativa.

Po ashtu, ata propozojnë një njësi të vetme zgjedhore dhe lista të hapura zgjedhore, zgjidhje ligjore që do të parandalonin vjetërsimin e lëndëve të korrupsionit politik, si dhe kontroll të origjinës së pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme të funksionarëve aktualë dhe të mëparshëm të zgjedhur e të emëruar, si edhe të familjarëve të tyre më të afërt.

artikuj të ndërlidhura