LSDM i gëzohet largimit të 30 anëtarëve drejt ZNAM: S’do të na gërryejnë më nga brenda

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 14 nëntor Zhurnal.mk – Një kalim i mbi 30 anëtarëve nga LSDM-ja te Lëvizja ZNAM në Gjorçe Petrov është shndërruar në një përplasje të ashpër politike, me akuza për tradhti, interesa financiare, lidhje me pushtetin dhe krim të organizuar. Derisa ZNAM-i e paraqet largimin e anëtarëve si dëshmi të humbjes së besimit ndaj LSDM-së, kjo e fundit pretendon se bëhet fjalë për persona që kanë vepruar kundër interesave të partisë. Përplasja ka shkuar deri te krahasimet historike me çetnikët, ndërsa në debat janë përfshirë edhe emrat e kryeministrit Hristijan Mickoski dhe liderit të ZNAM-it, Maksim Dimitrievski.

Nga Lëvizja ZNAM – Për Maqedoninë Tonë njoftuan se më shumë se 30 anëtarë të Organizatës Komunale të LSDM-së në Gjorçe Petrov kanë braktisur partinë dhe i janë bashkuar kësaj lëvizjeje. Anëtarët e rinj janë pritur nga sekretari i përgjithshëm i ZNAM-it, Goran Minçev, dhe kryetari i organizatës komunale në Gjorçe Petrov, Slavoljub Totiq. Sipas ZNAM-it, ky kalim dëshmon se gjithnjë e më shumë qytetarë po e njohin politikën e kësaj lëvizjeje si autentike, parimore dhe të përkushtuar ndaj interesave të qytetarëve. “Gjendja në të cilën ndodhet LSDM-ja, mungesa e një vizioni të qartë politik dhe humbja e besimit te qytetarët janë ndër arsyet për të cilat anëtarësia po e braktis partinë”, thuhet në kumtesën e ZNAM-it.

Reagimi i LSDM-së nuk ka vonuar, ndërsa gjuha e përdorur ka qenë dukshëm më e ashpër. Nga kjo parti deklaruan se radhët e saj tashmë janë më të pastra nga disa persona që, sipas tyre, kanë vepruar kundër partisë nga brenda. “Radhët partiake të LSDM-së sot janë më të pastra nga disa persona që kanë minuar partinë”, thuhet në reagim.

LSDM-ja pretendon se largimi i tyre ka ndodhur pasi janë identifikuar persona që, sipas partisë, për interesa financiare janë përpjekur të pengojnë luftën kundër mafisë. “Kur i zbuluam të gjithë ata që për para përpiqen ta pengojnë luftën kundër mafisë, disa prej tyre kaluan me nxitim në ZNAM – shoqatën e Makso Dimitrievskit, të sponsorizuar nga Mickoski”, deklarojnë nga LSDM-ja.

Partia opozitare pretendon gjithashtu se ZNAM-i është nën kontrollin politik të kryeministrit Mickoski dhe se nga kjo lëvizje janë larguar më herët deputetë, këshilltarë dhe grupe anëtarësh.

Përplasja politike mori një dimension tjetër kur LSDM-ja përdori një krahasim të drejtpërdrejtë historik për të përshkruar kalimin e anëtarëve te ZNAM-i. “Sot, kalimi në ZNAM është njësoj sikur dikush në vitin 1945 të kishte kaluar te çetnikët”, thuhet në kumtesën e LSDM-së.

Në reagimin e saj, LSDM-ja e ndërlidh kalimin e anëtarëve edhe me akuzat që ka ngritur kohët e fundit lidhur me Alta Bankën dhe me atë që e cilëson si rrjet kriminal në Ballkanin Perëndimor.

Partia pretendon se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar ndihmë për zbardhjen e një rrjeti kriminal transnacional në rajon. Në kumtesë përmenden edhe zhvillime të pretenduara politike në Serbi. Këto pretendime nuk shoqërohen në materialin e publikuar me dokumente që do të mundësonin verifikimin e tyre të pavarur. LSDM-ja akuzon Maksim Dimitrievskin se, së bashku me Mickoskin dhe drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA), ka marrë pjesë në procesin e ardhjes së Alta Bankës në vend.

Në të njëjtën kumtesë përmenden edhe pretendime për pastrim parash nga droga, krimi dhe korrupsioni, si dhe një rast që lidhet me pesë tonë drogë. Partia opozitare e lidh emrin e Dimitrievskit edhe me një tender në Postë dhe me shitjen e një parcele kompanisë Lidl, duke ngritur akuza për përfitime financiare. “Persona të tillë nuk mund të jenë më në radhët tona. Është më mirë që tani ta tregojnë fytyrën e tyre të vërtetë, sesa të vazhdojnë të veprojnë kundër nesh nga brenda”, përfundon reagimi i LSDM-së.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër