Mungesa e bakrit mund të ngadalësojë tranzicionin energjetik, bota ka nevojë për miniera të reja

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 14 nëntor Zhurnal.mk – Elektrifikimi i përshpejtuar i transportit dhe nevojat gjithnjë në rritje të industrisë po e shtojnë varësinë e ekonomisë botërore nga bakri. Megjithatë, prodhimi i këtij metali mund të mos arrijë të ndjekë ritmin e kërkesës, paralajmëron BloombergNEF në raportin e tij të fundit.

Për të shmangur një krizë të mundshme të furnizimit në të ardhmen, nevojiten investime prej rreth 332 miliardë dollarësh në kapacitete të reja minerare. Sipas vlerësimeve, kërkesa për bakër për nevojat e elektrifikimit do të rritet për 89 për qind deri në vitin 2050, duke arritur në 23,3 milionë tonë.

Sfida më e madhe është koha. Zhvillimi i një miniere të re zgjat mesatarisht rreth 17 vjet, që do të thotë se projektet e reja nuk mund t’u përgjigjen menjëherë nevojave në rritje. Sipas parashikimeve, mungesa mund të vazhdojë të paktën deri në vitin 2043, edhe nëse sigurohen investimet e nevojshme.

Tregu i bakrit pritet të hyjë në deficit që në vitin 2028. Ndërkohë, transporti elektrik po bëhet segmenti me rritjen më të shpejtë të konsumit të bakrit, pasi çdo rritje e numrit të veturave, kamionëve dhe autobusëve elektrikë sjell nevojë shtesë për këtë metal, i cili përdoret në motorë, bateri, inverterë, kabllo dhe pajisje karikimi.

Kërkesa do të vazhdojë të vijë edhe nga sektorët tradicionalë, si ndërtimtaria dhe prodhimi industrial. Ndërkaq, qendrat e të dhënave, pavarësisht zhvillimit të tyre, sipas raportit përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të kërkesës së përgjithshme për bakër.

Parashikimet globale shtrojnë një çështje të rëndësishme për të ardhmen e industrisë minerare: pa investime në kohë dhe zhvillimin e vendburimeve të reja, sigurimi i sasive të mjaftueshme të bakrit mund të shndërrohet në pengesë serioze për zhvillimin industrial dhe tranzicionin energjetik.

Në Maqedoni, investimi i vetëm i ri në sektorin e bakrit është projekti i minierës në Ilovicë, vlera fillestare e të cilit është rreth 350 milionë euro. Ky investim ende nuk është realizuar, ndonëse kanë kaluar më shumë se 22 vjet nga dhënia e lejes për hulumtime gjeologjike në këtë vendburim, në vitin 2004.

Hulumtimet e mëvonshme kanë treguar se është i mundur prodhimi mesatar vjetor deri në 16 mijë tonë bakër, ndërsa jetëgjatësia e minierës parashikohet të jetë rreth 23 vjet. Më herët, edhe në një analizë të profesorëve nga Universiteti i Shtipit është theksuar se vendburimi porfirik i bakrit “Ilovicë-Shtukë” mbetet potenciali më i madh për një projekt të ri minerar në Maqedoni, të njohur si projekt “greenfield”.

Ndryshe, sipas analistëve, në nivel global ka të ngjarë të ketë sasi të mjaftueshme bakri në nëntokë, por hapja e minierave të reja dhe zgjerimi i atyre ekzistuese nuk po ecin me ritmin e nevojshëm për të kompensuar rënien e prodhimit nga vendburimet aktuale.

“Vështirësitë me të cilat përballet industria minerare për të rritur prodhimin janë çështja kryesore në një treg shumë, shumë të shtrënguar. Vlerësimet për prodhimin në minierat ekzistuese tashmë po ulen. Bëhet fjalë për vendburime të shteruara, shumë të vjetra, si dhe për mungesën e zhvillimit të projekteve të reja minerare që do të siguronin furnizimin e tregut”, deklaroi Evi Hambro, drejtues global për investimet tematike dhe sektoriale në kompaninë BlackRock Inc., në një intervistë për Bloomberg.

Pritet që ulja e përqendrimit të bakrit në mineralin e nxjerrë nga minierat të rrisë kostot e prodhimit, ndërsa riciklimi nuk do të jetë i mjaftueshëm për të kompensuar rendimentin më të ulët nga burimet primare. Nga ana tjetër, përçueshmëria e lartë elektrike dhe qëndrueshmëria e bakrit e bëjnë të vështirë zëvendësimin e tij me metale të tjera.

Kjo situatë me lëndët e para kritike, ku bën pjesë edhe bakri, të cilat do të kenë ndikim të madh në ekonomitë dhe, rrjedhimisht, edhe në sigurinë kombëtare, ka ngritur alarmin në Gjermani. Kancelari Friedrich Merz, javën e kaluar, në një samit për energjinë, theksoi se Evropa duhet të krijojë rezerva të lëndëve të para kritike për të ulur varësinë nga vendet që dominojnë nxjerrjen dhe përpunimin e tyre.

“Pa lëndë të para kritike nuk do të kishte bateri, as motorë elektrikë me performancë të lartë, as gjysmëpërçues modernë dhe as shumë teknologji të tjera nga të cilat do të varen ekonomitë tona në të ardhmen. Shtetet duhet të ndihmojnë në diversifikimin e burimeve të furnizimit, të forcojnë riciklimin dhe ekonominë qarkulluese. Ky është një propozim shumë konkret që po e paraqes: Brukseli të krijojë rezerva në nivel evropian”, theksoi Merz.

Siç rikujton Reuters, Bashkimi Evropian, së bashku me ekonomitë e tjera të mëdha perëndimore, varet në masë të konsiderueshme nga Kina për furnizimin me minerale kritike dhe komponentë, si bateritë dhe elementet e rralla të tokës, të cilat përdoren në industrinë e mbrojtjes, atë të aviacionit dhe hapësirës, industrinë automobilistike dhe sektorin e energjisë së rinovueshme.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër