Mexhiti nga Bursa: Çarshia e Bursës si model për Çarshinë e Vjetër të Shkupit

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 15 nëntor, Zhurnal.mk – Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, gjatë vizitës në qytetin e Bursës, ka vizituar Çarshinë Historike, ku është pritur nga përfaqësuesit e Bashkimit të Çarshisë Historike dhe Haneve të Bursës.

Delegacioni është pritur nga kryetari i këtij institucioni, İsa Altıkardeş, ndërsa Mexhiti bëri të ditur se organizata bashkon rreth 4.000 dyqane dhe biznese.

Mexhiti theksoi se përvoja e Bursës ka rëndësi të veçantë për Çairin dhe Shkupin, veçanërisht në kuadër të përpjekjeve për revitalizimin e Çarshisë së Vjetër të Shkupit.

“Për ne, që po punojmë për revitalizimin e Çarshisë së Vjetër të Shkupit, përvoja e Bursës ka vlerë të veçantë: si ruhet trashëgimia, si organizohen zejtarët e tregtarët dhe si mbështetet zhvillimi i tregtisë brenda një zone historike”, ka deklaruar Mexhiti.

Sipas tij, synimi është që bashkëpunimi ndërmjet Shkupit dhe Bursës, të cilat janë qytete binjake, të zgjerohet edhe në nivel të esnafeve dhe komunitetit të biznesit.

“Synojmë që bashkëpunimi mes dy qyteteve binjake të shtrihet edhe mes esnafeve tona, duke e vënë këtë përvojë në shërbim të Çarshisë së Shkupit dhe njerëzve që punojnë në të”, theksoi Mexhiti.

Vizita në Bursë, sipas tij, paraqet një mundësi për të marrë përvoja konkrete për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin ekonomik të zonave historike, me qëllim që praktikat e suksesshme të përshtaten edhe për nevojat e Çarshisë së Vjetër të Shkupit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër