Alizoti: Akti normativ i qeverisë kufizon të drejtën e qytetarëve për të protestuar

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 26 nëntor, Zhurnal.mk – Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti, kundërshtoi aktin normativ për tubimet, duke e cilësuar atë si një kufizim të së drejtës së qytetarëve për të protestuar dhe si një hap drejt forcimit të kontrollit policor.

Duke folur në emër të grupit parlamentar të PD-së, gjatë diskutimeve në Kuvend, Alizoti argumentoi se qytetarët shqiptarë kanë arsye të shumta për të protestuar, për shkak të problematikave ekonomike dhe sociale, si dhe situatës politike në vend.

Alizoti theksoi se protesta është një element themelor i demokracisë dhe se kufizimi i saj përmes akteve normative cenon të drejtat e qytetarëve.

“Çfarë ka qytetari në demokraci më të shenjtë se protesta? Çfarë mund t’i thoni një qytetari i cili nuk ka asgjë në jetën e tij, nuk ka punë, nuk ka arsim dhe në fund s’ka as dinjitet, dhe ai duhet të protestojë? Dhe ju i bëni akte normative për të mos protestuar”, deklaroi Alizoti.

Duke iu referuar vendimit nr. 24 të Gjykatës Kushtetuese, deputeti i PD-së tha se ky vendim përcakton se për organizimin e një proteste nuk kërkohet leje nga policia, por vetëm njoftimi i saj.

“Si mundet mbas 30 e ca vitesh që ne pretendojmë që është demokraci, nëpërmjet procedurave teknike ndalojmë qytetarin të protestojë? Pse? Se keni frikë nga protesta. Protesta e mban gjallë demokracinë”, u shpreh ai.

Alizoti ngriti shqetësime për rolin e policisë në zbatimin e aktit normativ, duke argumentuar se dispozitat e tij i japin rëndësi të tepruar ndërhyrjes dhe kontrollit policor.

“Nëse ne duam të shkojmë në Bashkimin Europian, ju e keni dhe moto dhe parrullë politike: ne shkojmë në Bashkimin Europian me demokraci, nuk shkojmë me autokraci. Dhe në të gjitha pikat e aktit normativ shikoj: policia, policia, policia”, tha Alizoti.

artikuj të ndërlidhura