Shkup, 24 gusht, Zhurnal.mk – Shërbimet inspektuese të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari në vendkalimin kufitar Bllacë, javën e kaluar penguan importin nga Republika e Kosovës të dy ngarkesave me qumësht UHT, me peshë të përgjithshme prej 27.520 kilogramësh, për shkak të pranisë së konstatuar të aflatoksinës mbi koncentrimet maksimalisht të lejuara të përcaktuara me dispozitat ligjore pozitive, njoftoi AUV.
Sasitë e pasigurta të qumështit, të cilat ishin të destinuara për plasman në zinxhirin e marketeve në vend, javën e kaluar, nën mbikëqyrjen e veterinerit zyrtar, u asgjësuan pa rrezik në deponinë Drislla.
Mostrat për testim laboratorik të dy ngarkesave të pasigurta me qumësht UHT u morën në kuadër të Programit të Monitorimit që shërbimet inspektuese të AUV në vendkalimin kufitar e realizojnë për ngarkesat me ushqim me origjinë shtazore që importohen në vend.
Më 17 korrik të këtij viti Agjencia miratoi edhe Vendim për futjen e masave të veçanta të sigurisë gjatë importit të qumështit, produkteve të qumështit, si dhe produkteve që përmbajnë qumësht të kondensuar dhe qumësht pluhur, me të cilat u forcua kontrolli zyrtar gjatë importit të këtij tipi produktesh me origjinë shtazore përmes kryerjes së analizave laboratorike të detyrueshme dhe verifikimeve të përputhshmërisë me kërkesat për cilësi, me qëllim që në tregun vendor të plasohen ekskluzivisht produkte të sigurta dhe cilësore dhe të sigurohet konkurrencë e ndershme dhe mbrojtje e prodhuesve vendorë dhe konsumatorëve, kumtoi AUV.
