Uashington, 7 shtator Zhurnal.mk – Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, në një lidhje direkte në emisionin “Rretheqark” me Rosalba Bejdon në A2CNN, ka komentuar ndikimin rus në Ballkan dhe raportin e Serbisë me NATO-n dhe Bashkimin Europian. Joseph theksoi se Rusia ka qenë gjithnjë oportuniste, duke shfrytëzuar raportet me Beogradin, ku Serbia është konsideruar si platformë për luftën hibride ruse në rajon.
“Le të mos harrojmë që nëse po flasim për testimin e NATO-s, dhe kufijtë e NATO-s, ka tre vende në Ballkan që s’janë anëtare të NATO-s, që s’janë zyrtarisht kufijtë e NATO-s, Serbia, Kosova dhe Bosnjë Hercegovina. Këto vende nuk janë anëtare të NATO-s dhe në të njëjtën kohë ne e dimë që Rusia është oportuniste dhe ka qenë gjithmonë oportuniste, në këto presione në Ballkan, duke shfrytëzuar mbi të gjitha marrëdhënien me Serbinë. Është Serbia që është më sinjifikative si platformë për influencën dashakeqe ruse dhe kineze në rajon. Me këtë funeral, me ndere shtetërore për gjeneralin Mlladiç, ku ambasadori rus shumë hapur bashkohet me ministrat e Serbisë për të nderuar kriminel lufte të dënuar në Hagë për gjenocid, ky është një hap shumë mbrapa e Serbisë në rajon dhe Rusia do përpiqet të përfitojë avantazh”.
Sipas Joseph, ceremonia me nderime shtetërore për gjeneralin Mlladiç përbën një hap të turpshëm prapa për Serbinë edhe në aspiratën e saj për integrimin në BE.
“Ky është një hap i turpshëm nga ana e Serbisë dhe shpresoj që të gjithë në Tiranë dhe qeverinë shqiptare të jenë duke e parë dhe të shikojnë se sa sinjifikative është kjo, dhe çfarë hapi mbrapa është ky i Serbisë në ambicien për të qenë pjesë e BE-së”.
