Berisha: Do padisim policinë për përdorimin e mjeteve të ndaluara ndaj protestuesve

Nga D. V.
199 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 20 prill Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit këtë të hënë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” në lidhje me dosjen “Partizani”.

Gjatë fjalës së tij për mediet, Berisha tha se Altin Dumani i hapi çështje pa emër gjyqtares Irena Gjoka, duke e klasifikuar si “shpërdorim detyre” në vend të akuzave për falsifikim apo mashtrim. Ai pretendoi se kjo është bërë me qëllim për ta nxjerrë të pafajshme.

Berisha gjithashtu akuzoi prokurorin e çështjes, Altin Dumani, për përfitime te parregullta në lidhje me një apartament. Ai tha se Dumani do të paditet për “falsifikim”.

I pyetur në lidhje me masat ndaj protestuesve, Berisha tha se “kriminelët me uniformë përdorën në protestën e fundit mjetet më të ndaluara dhe antiligjore ndaj protestuesve guximtarë, heronj të vërtetë të ndërgjegjes, mbrojtës të pamposhtur të ndërgjegjes shoqërore të shqiptarëve, të guximit qytetar”.

Berisha deklaroi se protestuesit e arrestuar janë ndaluar pa prova dhe pa dokumentacion ligjor. Ai shtoi se PD do të bëjë kallëzim penal ndaj drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita.

“Ne do t’i padisim që të gjithë ata, sepse kanë përdorur verbuesin e ariut dhe tani del se akoma më keq se verbuesi i ariut, sepse verbuesi i ariut, që ta dini ju, ka të njëjtën lëndë me atë që përdoret ndaj njerëzve në koncentrim 10 apo 11-fish”, tha Berisha.

“E njëjta lëndë është, koksocikainë, por përqendrimi i saj është 10 herë më i lartë për ariun. Dhe e përdorur tek njerëzit, mund të shkaktojë bllokim total të frymëmarrjes, bllokim total të zemrës. Me atë që duket në dorën e policit, del se bombola përveç lëndës që përdoret në këtë rast, ka pasur okside metalesh shumë, shumë të rrezikshme”, tha Berisha.

Berisha theksoi se opozita do të vazhdojë protestat, duke paralajmëruar se ato do të jenë edhe më të forta në vijim.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër