Tiranë, 20 maj, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se PD do zbatojë çdo rekomandim të institucioneve ndërkombëtare në komisionin e reformës elektorale.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha vlerësoi deputetët e komisioneve të reformave, qoftë asaj territoriale dhe asaj zgjedhore për punën që po bëjnë.
Sipas tij, këto janë dy fusha themelore me interes shumë të madh për të sotmen dhe të ardhmen e vendit.
“Ju jeni dëshmitarë se zgjedhjet e 11 majit u damkosën tashmë në të gjitha dokumentet ndërkombëtare si zgjedhjet në kushtet e partisë shtet. Cilido që pretendon apo që flet për zgjedhje në kushtet e partisë shtet, mashtron. Në kushtet e partisë shtet ka farsë, farsë dhe vetëm farsë. Pra, propaganda bajate, propaganda e paguar, lobingjet e paguara të Edi Ramës kanë marrë fund. Komuniteti ndërkombëtar, institucionet ndërkombëtare njëzëri tashmë flasin për parti shtet në Shqipëri”, tha Berisha.
Sipas tij, “kjo është bërë e mundur falë punës së shkëlqyer, të ndershme të përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare OSBE/ODIHR, Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Evropës, të cilët atë vëzhgim të zgjedhjeve në Shqipëri e paraqitën me vërtetësi të madhe para opinionit publik evropian dhe botëror”.
“Por kjo është bërë e mundur edhe nga vendosmëria e demokratëve, e anëtarëve, mbështetësve, drejtuesve të PD, të cilët bënë gjithçka për të paraqitur faktet, dokumentet e pakundërshtueshme të dhunimit masiv dhe sistematik të parimeve ndërkombëtare dhe ligjeve të vendit për zgjedhjet”, shtoi Berisha.
Berisha vlerësoi se sot po punohet nga komisioni i reformës mbi bazën e dokumenteve të shkëlqyer, dhe rekomandimeve të shkëlqyera të institucioneve ndërkombëtare.
“Ne jemi të gatshëm të zbatojmë një për një rekomandimet e tyre. Ne jemi shumë mirënjohës me përcaktimet e tyre të drejta, pa të cilat nuk do mund t’u jepej kurrë përgjigje problemeve madhore të farsës elektorale në Shqipëri”, tha Berisha.
