Ohër, 23 gusht Zhurnal.mk – Nën muret që sot i lidhim më së shumti me mbretin Samuil, fshihen gjurmë jete mijëra vjeçare. Arkeologët janë rikthyer sërish në Kalanë e Samuilit në Ohër, ku kanë nisur hulumtimet e këtij viti me qëllim studimin e mëtejshëm të lokalitetit, dokumentimin e mbetjeve arkeologjike dhe krijimin e kushteve për revitalizimin e tij në të ardhmen.
Projekti financohet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, ndërsa hulumtimet drejtohen nga arkeologu dhe kuratori i lartë Anatoli Arnaudovski. Për momentin nuk është bërë e ditur se ekipi po kërkon ndonjë objekt të veçantë apo ndonjë „zbulim sensacional“. Pritshmëritë janë që gërmimet e reja të sjellin të dhëna shtesë për zhvillimin dhe funksionin e kësaj hapësire gjatë periudhave të ndryshme historike.
Dhe pikërisht fushatat e mëparshme arkeologjike tregojnë se çdo gërmim i ri në këtë kodër mund të hapë një kapitull krejtësisht të ri të historisë së Ohrit.
Kalaja është shumë më e vjetër se Samuili
Edhe pse pamja dhe emri i sotëm i kalasë lidhen më së shumti me periudhën mesjetare, gjetjet arkeologjike tregojnë se kjo kodër është përdorur shumë shekuj më herët.
Gjatë gërmimeve sistematike të zhvilluara që nga fillimi i këtij shekulli, janë zbuluar gjurmë që dëshmojnë për jetë në këtë hapësirë që nga Epoka e Bronzit, rreth tre mijë vjet më parë, si dhe materiale nga periudha arkaike dhe helenistike.
Janë konfirmuar arkeologjikisht edhe mbetje të një fortifikimi më të hershëm – blloqe guri pranë murit mbrojtës verior të citadelës së sotme.
Kjo do të thotë se nën muret mesjetare nuk fshihet vetëm historia e kohës së Samuilit. Hapësira është ndryshuar, zgjeruar dhe përdorur përsëri gjatë periudhave antike, bizantine, mesjetare dhe osmane.
Pikërisht kjo shtresëzim kronologjik e bën Kalanë e Samuilit një nga hapësirat më interesante arkeologjike në Ohër.
Në vitin 2024, për shembull, studiuesit u përqendruan te një nekropol i zbuluar rishtazi nga shekulli XII, një varr familjar i antikitetit të vonë dhe fragmente mozaiku të lidhura me mbetje arkitekturore në pjesën jugore të citadelës.
Disa vite më herët, arkeologët hulumtuan edhe pjesën jugore të kalasë, ku ndodheshin objekte nga periudha osmane. Gjatë fushatës së vitit 2022 u hulumtuan rreth 150 metra katrorë, ku u zbuluan pjesë të një kompleksi më të madh arkitekturor, enë qeramike, pjata të glazuruara, llulla, monedha dhe objekte të tjera që lidhen me jetën e përditshme të njerëzve që e kanë përdorur këtë hapësirë në periudha të ndryshme.
Edhe më herët, në pjesën jugore të citadelës ishin hulumtuar mbetjet e një objekti të lidhur me Xheladin Beun, administratorin e Ohrit nga fillimi i shekullit XIX.
Nga lokalitet arkeologjik në hapësirë të re kulturore
Por gërmimet e këtij viti kanë edhe një dimension tjetër. Arkeologjia duhet të shërbejë si bazë për një projekt më të gjerë të revitalizimit të Kalasë së Samuilit.
Projekti i paralajmëruar parashikon rregullimin e hapësirës, restaurimin dhe gjallërimin e skenës verore, rregullimin e sipërfaqeve, ndërtimin e shtigjeve të reja për lëvizjen e vizitorëve, prezantim dhe shënjim më të mirë të përmbajtjeve arkeologjike, hapësira sanitare, si dhe ndriçim dhe sistem të ri të zërimit.
Paralelisht me këto aktivitete janë planifikuar edhe hulumtime të gjera arkeologjike.
Ideja është që kalaja të mos mbetet vetëm një vend nga ku turistët fotografojnë liqenin e Ohrit, por që vizitorët të mund të kuptojnë më lehtë se çfarë shohin dhe cilat shtresa historike fshihen brenda kompleksit.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme sepse muret e sotme janë vetëm pjesa më e dukshme e lokalitetit. Nën to dhe ndërmjet tyre, arkeologët gjatë dekadave të fundit kanë zbuluar gjurmë që shtrihen nga parahistoria, përmes antikitetit dhe mesjetës, deri në shekujt e fundit të sundimit osman.
Tani, sezoni i ri arkeologjik pritet të tregojë se sa nga historia mijëravjeçare e Ohrit ende mbetet e pazbuluar nën një nga simbolet më të njohura të qytetit.
