Dhjetë persona këtë vit u kallëzuan penalisht për shkaktim të zjarreve dhe rrezikut të përgjithshëm

Nga Xh M
943 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 8 korrik Zhurnal.mk – Gjatë vitit 2026, Ministria e Punëve të Brendshme ka paraqitur tetë kallëzime penale për tetë vepra penale të kategorisë “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, kundër gjithsej 10 personave. Këtë e bëri të ditur MPB-ja në përgjigje të një pyetjeje lidhur me numrin e kallëzimeve për shkaktimin e zjarreve pyjore dhe zjarreve në hapësira të hapura gjatë këtij viti.

Sipas autoriteteve, shumica e zjarreve në ambiente të hapura nuk shkaktohen nga fenomene natyrore, siç është rrufeja, por janë pasojë e faktorit njerëzor. Një pjesë e tyre ndodhin nga pakujdesia ose pa qëllim, ndërsa të tjera shkaktohen qëllimisht nga piromanë ose për motive kriminale.

Ditët e fundit, policia njoftoi se kishte arrestuar një person të dyshuar për shkaktimin e një zjarri në zonën e fshatit Dollno Orizari, ku u përfshinë një arë, një objekt ndihmës, një shtyllë elektrike dhe inventari i një shtëpie vikendi.

Megjithatë, MPB nuk ka saktësuar se sa prej tetë kallëzimeve penale të ngritura këtë vit lidhen drejtpërdrejt me zjarrvëniet, pasi vepra penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” përfshin edhe raste të tjera, si shpërthime, përmbytje, trajtim të parregullt të materialeve shpërthyese ose të ndezshme, si dhe dëmtim të instalimeve dhe objekteve që mund të shkaktojnë pasoja serioze.

Sipas të dhënave të Qendrës për Menaxhim me Kriza, nga fillimi i vitit 2026 deri më 1 korrik janë regjistruar gjithsej 1.104 zjarre në hapësira të hapura. Prej tyre, 1.051 kanë përfshirë bar të thatë, ara të korrura, pyje të degraduara dhe deponi, ndërsa 53 janë klasifikuar si zjarre pyjore.

Nga Qendra për Menaxhim me Kriza theksojnë se çdo zjarr në hapësirë të hapur paraqet rreziqe dhe pasoja specifike për jetën, shëndetin dhe pronën e qytetarëve. Sipas tyre, zjarret me përmasa dhe dëme më të mëdha janë regjistruar në rajonet e Shtipit, Shën Nikollës dhe Velesit, ndërsa institucionet kanë ndërmarrë një sërë masash parandaluese dhe aktivitete për zbulimin e hershëm të tyre.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër