Shkup, 8 korrik Zhurnal.mk – Policia ka arrestuar pesë persona të dyshuar për dhunë në familje gjatë 24 orëve të fundit, pas tetë rasteve të raportuara.
Në Kumanovë është arrestuar një 42-vjeçar, i dyshuar se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes së tij. Për të njëjtat dyshime janë arrestuar edhe një 40-vjeçar nga Shkupi, një 59-vjeçar nga Kamenica, një 50-vjeçar nga Shtipi dhe një 53-vjeçar nga Shën Nikolla.
Policia ka regjistruar edhe raste të tjera të dhunës në familje. Një 33-vjeçare është denoncuar për dhunë psikike ndaj djalit të saj, i cili jeton me ish-bashkëshortin e saj. Gjithashtu, një 41-vjeçare ka raportuar se është dhunuar fizikisht nga bashkëshorti, ndërsa një 57-vjeçar dyshohet se për një periudhë të gjatë ka keqtrajtuar babanë e tij 81-vjeçar.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme po përgatit ndryshime në Ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje, me fokus te masat urgjente dhe të përkohshme.
Sipas njoftimit të ministrit Pançe Toshkovski në fund të prillit, ndryshimet parashikojnë që policia, bazuar në një vlerësim të rrezikut, të ketë kompetencë të lëshojë menjëherë masa urgjente për mbrojtjen e viktimës. Këto masa do të mundësojnë largimin e dhunuesit nga banesa, ndalimin e afrimit dhe ndalimin e çdo kontakti me viktimën.
Debati për forcimin e mbrojtjes së viktimave u rikthye pas tragjedisë së 2 marsit 2026 në Shkup, kur një grua dhe vajza e saj gjashtëvjeçare humbën jetën pasi ranë nga një ballkon, pas viteve të tëra të dhunës në familje. Për këtë rast, Ministria e Punëve të Brendshme kishte evidentuar më herët disa denoncime për marrëdhënie të prishura ndërmjet bashkëshortëve dhe sulme fizike.
