Shkup, 7 korrik Zhurnal.mk – Euroja digjitale nuk është më një ide e largët, por një projekt që Banka Qendrore Evropiane (BQE) po e zhvillon si një mënyrë të re pagese në eurozonë. Ajo do të jetë një formë digjitale e euros zyrtare, e emetuar nga banka qendrore, ndërsa qytetarët do ta përdorin përmes telefonit, kartelës ose një portofoli digjital. BQE synon të jetë gati për emetimin e parë të mundshëm në vitin 2029, nëse kuadri ligjor evropian miratohet gjatë vitit 2026.
Kjo nënkupton se euroja do të ketë versionin e saj digjital për përdorim të përditshëm. Me të do të mund të paguhet në dyqane, në internet dhe drejtpërdrejt mes qytetarëve, ndërsa një pjesë e pagesave do të mund të kryhen edhe pa lidhje interneti. Euroja digjitale nuk do të jetë kriptovalutë, por para publike në formë digjitale.
Arsyeja e këtij ndryshimi është e qartë. Mënyra e pagesave në Evropë po ndryshon me ritme të shpejta. Në eurozonë, paraja e gatshme mbetet ende forma më e përdorur e pagesës në pikat fizike të shitjes, por pjesëmarrja e saj ka rënë nga 79 për qind në vitin 2016 në 52 për qind në vitin 2024. Në të njëjtën periudhë, përdorimi i kartelave është rritur në 39 për qind, ndërsa pagesat me telefon celular kanë arritur në 6 për qind, pothuajse dyfish më shumë se në vitin 2022.
E njëjta prirje vërehet edhe në Maqedoninë e Veriut. Sipas Bankës Popullore, gjatë vitit 2024 në vend janë realizuar 235 milionë transaksione pa para të gatshme, me një vlerë prej 7.167 miliardë denarësh. Në vitin 2025, ky numër është rritur në 249 milionë transaksione, me një vlerë totale prej 9.719 miliardë denarësh, duke treguar se qytetarët dhe bizneset po kalojnë gjithnjë e më shumë nga pagesat me para në dorë te ato digjitale.
Për Maqedoninë e Veriut, euroja digjitale nuk do të nënkuptojë menjëherë mundësinë e pagesës me të në çdo market. Denari mbetet valuta kombëtare, ndërsa euroja digjitale do të jetë e lidhur me eurozonën. Megjithatë, ndikimi i saj mund të ndihet përmes bankave, bizneseve, freelancerëve, mërgimtarëve dhe të gjithë atyre që dërgojnë ose marrin para nga Evropa.
Në këtë kontekst hyn edhe SEPA. Që nga marsi i vitit 2025, Maqedonia e Veriut është pjesë e hapësirës gjeografike të Zonës së Vetme të Pagesave në Euro, gjë që e afron vendin me sistemin evropian të pagesave dhe krijon mundësi për transferta më të shpejta dhe më të lira në euro.
Nëse euroja digjitale bëhet pjesë e këtij sistemi, presioni ndaj bankave vendase do të rritet. Qytetarët do të presin transaksione më të shpejta, tarifa më të ulëta dhe aplikacione më të thjeshta, ndërsa bizneset do të kërkojnë pagesa më efikase me partnerët evropianë. Edhe tregtarët do të duhet të përshtaten me mënyrat e pagesës që përdorin klientët nga Bashkimi Evropian, veçanërisht në turizëm, tregtinë online dhe sektorin e shërbimeve.
Sipas një eksperti të sistemeve të pagesave, euroja digjitale mund të sjellë pagesa më të shpejta dhe më të lira, por njëkohësisht hap edhe disa çështje të ndjeshme.
“Sfida më e madhe do të jetë besimi i qytetarëve. Një pjesë e publikut do të shtrojë pyetjen nëse pagesat digjitale nënkuptojnë më shumë kontroll dhe më pak privatësi. Një problem shtesë do të jetë përshtatja e të moshuarve, tregtarëve të vegjël dhe zonave ku infrastruktura digjitale nuk është mjaftueshëm e zhvilluar. Bankat do të duhet të investojnë në teknologji dhe siguri, ndërsa rregullatorët do të duhet të sigurohen që euroja digjitale të mos krijojë presion shtesë mbi denarin”, vlerëson eksperti.
Ai shton se pyetja kryesore për Maqedoninë e Veriut nuk është vetëm nëse qytetarët një ditë do të paguajnë me euro digjitale, por nëse sistemi financiar i vendit do të jetë i përgatitur për një treg evropian ku paratë gjithnjë e më pak do të jenë letër dhe gjithnjë e më shumë një shërbim digjital.
