Dogana jep detaje rreth kapjes së shtetasit të Kosovës, që iku nga pika kufitare “Bllacë”

Nga I.A
1,243 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 korrik, Zhurnal.mk – Drejtoria e Doganave ka dhënë informacione shtesë në lidhje me shtetasin e Kosovës, i cili u arrestua në pikën kufitare “Bllacë”, pasi gjatë kontrollit doganor tentoi të kalonte me forcë kufirin me një automjet ku transportonte drogë. Sipas Drejtorisë së Doganave, gjatë arratisjes ai hodhi një qese me 1 kilogram marihuanë, e cila më pas u gjet nga autoritetet. I dyshuari u kap pas një ndjekjeje nga policia kufitare dhe doganierët, ndërsa ndaj tij është ngritur kallëzim penal për trafikim të narkotikëve dhe pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrës.

“Më 15 korrik, në orët e mbrëmjes, zyrtarët doganorë në pikën kufitare Bllacë ndaluan R.E. për kontroll. Kontrolli u krye nga dy doganierë, të cilët i kërkuan të hapte bagazhin e automjetit. Në momentin kur i dyshuari vuri re se njëri prej doganierëve kishte dalluar një qese poshtë ulëses së bashkudhëtarit dhe po tentonte ta kontrollonte, ai hyri me forcë në automjet dhe kaloi në mënyrë të paligjshme vijën kufitare, duke tërhequr me vete doganierin që përpiqej ta ndalonte. Menjëherë u njoftua policia kufitare, e cila së bashku me doganierin, pas një ndjekjeje që zgjati rreth dhjetë minuta, i preu rrugën dhe e arrestoi të dyshuarin. Më pas ai iu dorëzua Njësisë së Hetimeve pranë Sektorit për Kontroll dhe Hetime të Drejtorisë Doganore, e cila pas veprimeve hetimore dorëzoi kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike të Shkupit. Gjatë arratisjes, i dyshuari hodhi qesen me drogë, e cila u gjet pranë vendit të arrestimit. Me urdhër të prokurorit publik, lënda u ekspertizua dhe u konstatua se bëhej fjalë për 1 kilogram marihuanë. Tek i dyshuari u gjet gjithashtu edhe një armë e ftohtë. Zyrtari doganor, i cili u tërhoq me forcë gjatë përpjekjes për ta ndaluar të dyshuarin, pësoi lëndime të lehta trupore. Dy doganierët që morën pjesë në ndërhyrjen në pikën kufitare Bllacë u vlerësuan si shembull i guximit të përditshëm që punonjësit e doganës tregojnë në mbrojtje të shtetit”, thonë nga Drejtoria e Doganave.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër