Shkup, 17 korrik, Zhurnnal.mk – Tetë shtete anëtare të Bashkimit Evropian kanë kërkuar që zgjerimi të vazhdojë, por për dallim nga non-paper-i i Gjermanisë, Francës, Belgjikës, Luksemburgut dhe Holandës, ato janë për një dallim më të vogël mes anëtarëve të vjetër dhe të rinj, para së gjithash në prezantimin e rregullave të reja të pranimit dhe mekanizmave të kontrollit për anëtarët e rinj.
Me non-paper-in të cilin e nënshkruan Austria, Italia, Kroacia, Sllovenia, Hungaria, Republika Çeke, Sllovakia dhe Greqia, kërkohet që masat mbrojtëse, rregullimet tranzicionale dhe mekanizmat për monitorim pas pranimit të anëtarëve të rinj të përdoren në mënyrë proporcionale, brenda një afati të caktuar kohor dhe të jenë lidhura me nevojat e identifikuara në mënyrë objektive.
Një nga kërkesat është edhe shmangia e pengesave të reja të panevojshme për vendet kandidate, gjegjësisht pika e synuar të mbetet e dukshme dhe stabile.
“Shtimi i vazhdueshëm i kërkesave të reja, parakushteve politike ose pengesave institucionale gjatë garës do t’i demotivonte kandidatët, do ta minonte kredibilitetin e perspektivës evropiane dhe do ta dobësonte ndikimin e vetë Unionit në fqinjësinë e tij”, thuhet në dokument.
Më tej kërkohet edhe që metodologjia e pranimit të jetë e njëjtë për të gjitha vendet, e jo të përshtatet për secilin vend, gjë që do ta kompromentonte parashikueshmërinë, e me këtë edhe kredibilitetin e procesit. Me këtë dokument kërkohet edhe barazi pas pranimit.
Sipas nënshkrueseve të non-paper-it, kjo do të thotë gjetje e zgjidhjeve horizontale, e jo kufizime specifike për kandidatët.
Non-paper-i i përfshin edhe Traktatet e anëtarësimit, me ç’rast theksohet se për shtetet – anëtare të reja ato mund të ndërtohen në bazë të masave mbrojtëse sektoriale ekzistuese dhe masave kalimtare, por të jenë proporcionale dhe të kufizuara në kohë, me indikatorë të qartë për aktivizim.
Në pjesën për klauzolat mbrojtëse për anëtarët e rinj përmenden edhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në drejtim të zbatimit të marrëveshjeve ndërkombëtare edhe pas anëtarësimit.
Nënshkrueset e non-paper-it, në mesin e të cilave është edhe Greqia, thonë se kjo nuk do të krijojë detyrime të reja, por do t’i përforcojë detyrimet që janë pjesë integrale e kushteve mbi të cilat bazohet anëtarësimi.
Dje, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova ka thënë se Bashkimi Evropian ka mekanizma për të parandaluar bllokadat që bazohen në çështje identitare.
Ajo tha se Maqedonia e Veriut angazhohet për zgjidhje që do të parandalojë bilateralizimin e procesit të integrimit evropian. Sipas saj, nuk ka siguri se nuk do të ketë veto të re nga ndonjë shtet anëtar, por BE-ja mund të vendosë rregulla që procesi i integrimit të mos pengohet për çështje që nuk lidhen me kriteret e anëtarësimit.
“BE-ja ka mekanizma, përfshirë interpretime zyrtare, me të cilat mund të thuhet se integrimi evropian nuk mund të bllokohet, jo vetëm për ne, por për asnjë vend kandidat, nëse arsyet lidhen me çështje identitare dhe nuk kanë të bëjnë me kriteret për përparim dhe vlerësim në kuadër të BE-së”, tha Siljanovska–Davkova.
