Donacion gjerman për MPB-në për mbështetje në luftën kundër krimit të organizuar dhe mbrojtjes së kufijve

Nga D. V.
890 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 20 shkurt – Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski sot në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, mori pjesë në ceremoninë e pranim- dorëzimit të një donacioni nga Republika Federale e Gjermanisë në të cilën mori pjesë edhe ambasadorja e Gjermanisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Petra Dreksler si dhe përfaqësuesit e Zyrës së lidhjeve të policisë federale të Republikës Federale të Gjermanisë.
 
“Donacioni me vlerë totale prej afërsisht 600,000 eurosh të realizuara në periudhën e kaluar, përfshin automjete motorike, kamera termike, pajisje dhe softuer kompjuterik, pajisje të specializuara për verifikimin e dokumenteve, si dhe automjete speciale për njësitin e aviacionit. Këto pajisje kanë për qëllim përmirësimin e kapaciteteve të Ministrisë në fushën e menaxhimit të kufijve, luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe kontrabandës së emigrantëve, analizës së inteligjencës kriminale dhe ekzaminimeve mjeko-ligjore”, njoftoi Toshkovski në rrjetet sociale.

Ministri Toshkovski theksoi se donacioni është një simbol i besimit dhe një partneriteti të fortë ndërmjet dy vendeve.

“Kjo ceremoni nuk është vetëm një pranim-dorëzim formal i pajisjeve, por një mesazh i qartë se Gjermania qëndron krah për krah me Maqedoninë në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar në mbrojtjen e kufijve tanë dhe në sigurimin e sigurisë së qytetarëve. Mbështetja që marrim nuk matet vetëm në burime materiale, por edhe në njohuri, trajnime dhe shkëmbim përvojash, që do të thotë forcim afatgjatë i kapaciteteve dhe profesionalizim i policisë së Maqedonisë”, theksoi Toshkovski.

Ai shprehu mirënjohje për Policinë federale të Republikës Federale të Gjermanisë dhe Ambasadën e Gjermanisë në Shkup për mbështetjen e tyre të vazhdueshme, duke theksuar se gjashtë trajnimet e zbatuara për nëpunësit e policisë së Maqedonisë janë provë e bashkëpunimit strategjik dhe afatgjatë ndërmjet dy institucioneve.
 
Ministri theksoi se ndihma e këtillë paraqet një kontribut të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e sigurisë, si dhe në realizimin e vizionit të përbashkët për një Maqedoni të sigurt, të qëndrueshme dhe evropiane.

“Duke ofruar pajisje teknike, ne vazhdojmë bashkëpunimin tonë afatgjatë dhe të besueshëm policor. Forcimi i kapaciteteve të Maqedonisë së Veriut në pjesën e mbikëqyrjes së kufijve, në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, migrimit të paligjshëm dhe krimit ndërkufitar është në interesin tonë të përbashkët evropian. Së bashku punojmë për forcimin e Evropës – sot dhe në të ardhmen”, theksoi ambasadorja Dreksler.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër