Drejtoria e Burgjeve dhe AKMC marrëveshje për reagimin ndaj situatave të emergjencave civile

Nga D V
535 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 31 korrik, Zhurnal.mk – Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi, duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e koordinimit ndërinstitucional dhe rritjen e kapaciteteve në fushën e mbrojtjes civile.

Marrëveshja u nënshkrua nga drejtori i përgjithshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi, dhe drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako.

Siç njofton Drejtoria e Burgjeve, bashkëpunimi synon zhvillimin e trajnimeve, ushtrimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta, shkëmbimin e ekspertizës profesionale, si dhe hartimin e programeve që forcojnë përgatitjen dhe reagimin ndaj situatave të emergjencave civile.

“Përmes kësaj marrëveshjeje, të dy institucionet angazhohen të bashkëpunojnë për ngritjen e kapaciteteve profesionale, përmirësimin e gatishmërisë operacionale dhe forcimin e mekanizmave të reagimit, në funksion të rritjes së sigurisë dhe mbrojtjes së jetës”, njoftoi drejtoria e burgjeve.

Sipas drejtorisë së Burgjeve, ky partneritet përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi më të koordinuar, më të përgatitur dhe më efektiv për menaxhimin e emergjencave civile, duke forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional në shërbim të interesit publik.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër