Shkup, 21 prill Zhurnaë.mk – “Po veprohet sipas rekomandimeve të Inspektoratit Shtetëror të Arsimit, është ndërprerë studimi i shtatë studentëve të magjistraturës dhe katër doktorantëve”, thonë nga Fakulteti Filozofik.
Drejtoria e Fakultetit Filozofik pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” sot njoftoi se ka ndërprerë studimet për shtatë studentë të magjistraturës dhe katër studentë të doktoraturës, pas konstatimit të parregullsive. Vendimi vjen pas mbikëqyrjes së kryer nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit (DAP), i cili ka konstatuar se këta studentë janë regjistruar në cikle më të larta studimi në kundërshtim me ligjin në fuqi.
Sipas dekanit të Fakultetit Filozofik, prof. dr. Oliver Bakreski, studentët nuk janë pa diplomë, por nuk është respektuar ligji që përcakton se vetëm me studime akademike, dhe jo me studime profesionale, mund të vazhdohet në ciklet më të larta të studimeve. Në këtë rast, siç u tha në konferencën për shtyp të fakultetit, studimet profesionale janë trajtuar njësoj si ato akademike, duke u mundësuar studentëve regjistrimi në ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve, ndonëse kjo sipas ligjit të vitit 2018 nuk lejohet.
Sipas të dhënave, studenti i parë në studime pasuniversitare me diplomë trevjeçare profesionale është regjistruar në vitin 2019. Deri tani nuk ka asnjë doktorant të diplomuar, ndërsa tetë persona kanë magjistruar me studime profesionale njëvjeçare. Nuk ka ende vendim nga Inspektorati nëse diplomat e tyre do të mbeten të vlefshme.
Dekani Bakreski thotë se Inspektorati ka konstatuar gjendje që nuk janë në përputhje me ligjin dhe mbi këtë bazë ka marrë vendimin. Ai vlerëson se kjo situatë mund të ketë ardhur për shkak të interpretimeve të ndryshme të ligjit, e jo me qëllim të kolektivit të Fakultetit Filozofik.
“Ka interpretime të ndryshme në argumentimet e profesorëve dhe në ato segmente ku është vepruar i referohet një neni të rregullores që nuk është konsistent ose krijon një lloj mosbalancimi sistemik në aspektin e interpretimit, por unë nuk jam ai që mund ta interpretoj përfundimisht. Ne kemi vepruar sipas vendimit të DAP-it dhe, për fat të keq, është dashur t’i çregjistrojmë këta studentë”, tha Bakreski.
Sipas tij, problemi është kompleks dhe, siç shtoi, “nuk mund as të mbroj dhe as të amnistoj askënd”.
“Një numër i madh njerëzish janë të përfshirë në procedurë dhe vendimmarrje. Këto gjendje nuk janë të dëshirueshme dhe si dekan do të bëj gjithçka në të ardhmen që të mos ketë situata të tilla në fakultet”, shtoi ai.
Ai tha se është befasuar nga një portal që ka raportuar për gjetjet e Inspektoratit, duke krijuar përshtypjen se fakulteti është kapur në parregullsi. Sipas tij, inspektorët janë thirrur vetë nga ai për të verifikuar ligjshmërinë e situatës.
“Përkundrazi, me indikacione se këto studime mund të jenë problematike, unë kam iniciuar mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese. Nuk kam dashur të veproj gabim dhe të hyj në gabime më të mëdha. Këtë e bëjmë për të gjithë studentët që të kenë bazë ligjore në studime”, shtoi Bakreski.
Fakulteti ka nisur tashmë procesin e kthimit të mjeteve financiare studentëve të cilëve u është ndërprerë studimi. Bakreski hodhi poshtë pretendimet për panik në dekanat apo ankesa nga studentët për kthimin e parave, duke theksuar se institucioni ka kontaktuar vetë studentët për t’ua kthyer mjetet në llogaritë e tyre bankare.
Drejtoria e fakultetit bëri thirrje që të mos dëmtohet imazhi i institucionit me mbi një shekull traditë dhe të ruhet besimi në proceset institucionale.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, konfirmoi sot se Inspektorati Shtetëror i Arsimit ka konstatuar parregullsi në regjistrimin e studentëve në magjistraturë dhe doktoraturë në Fakultetin Filozofik të UKIM-it në Shkup.
Sipas saj, Inspektorati e ka përfunduar pjesën e tij të procedurës dhe ka dorëzuar përfundimet në fakultet, i cili tashmë po vepron sipas tyre dhe duhet të përgatisë raport.
Ministrja nuk dha më shumë detaje, duke pritur raportin përfundimtar për të marrë vendim si person i autorizuar.
