Festim Halili në Uashington takon kongresmenin Juan Vargas, përfaqësues i Kalifornisë dhe mik i veçantë i rajonit tonë

Nga B.M
640 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Uashington, 4 shkurt – Ish-zëvendëskryeministri për implementimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, Festim Halili po qëndron për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me ftesë institucionale, ku po zhvillon një sërë takimesh të rëndësishme me përfaqësues të institucioneve amerikane.

Në kuadër të kësaj vizite, Halili u takua në United States Capitol me kongresmenin amerikan Juan Vargas, përfaqësues i shtetit të Kalifornisë dhe mik i dëshmuar i vendit dhe rajonit tonë. Gjatë takimit, kongresmeni Vargas ndau një fakt domethënës nga periudha e luftës në Kosovë, duke theksuar se kishte strehuar për dy vite në shtëpinë e tij një familje refugjate nga Kosova, si shenjë solidariteti dhe humanizmi.

Halili shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të miqve amerikanë, duke vlerësuar marrëdhëniet e forta dhe bashkëpunimin e qëndrueshëm ndërmjet vendeve tona, të cilat pritet të thellohen edhe më tej në shumë dimensione.

Në vazhdën e kësaj vizite, janë planifikuar takime të tjera në institucione të arsimit të lartë, institucione qeveritare amerikane, si dhe pjesëmarrja në konferencën vjetore për siguri që mbahet në Kongresin e SHBA-së. Po ashtu, Halili do të marrë pjesë edhe në eventin tradicional të Lutjeve Nacionale të Mëngjesit, ku do të jetë i pranishëm edhe presidenti amerikan Donald Trump.

Vizita në Uashington konsiderohet një mundësi e rëndësishme për forcimin e lidhjeve ndërinstitucionale dhe avancimin e bashkëpunimit me partnerin strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër