Hoxha-Gabriel: Partneritet strategjik për investime evropiane në mjedisin jetësor

Nga admin
374 e lexuar
A+A-
Rivendos

Shkup, 21 janar – Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, realizoi sot një takim pune me Bjorn Gabriel, udhëheqës i Zyrës së Bankës Evropiane të Investimeve (BEI) në Maqedoninë e Veriut.

Hoxha dhe Bjorn në takimin njoftues diskutuan për vayhdimin e bashkëpunimit të deritanishëm ndërmjet Ministrisë dhe BEI-së, me fokus të veçantë në zbatimin e projekteve strategjike në fushën e mjedisit jetësor dhe infrastrukturës ujore.

Ministri Hoxha theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të BEI-së në realizimin e projekteve që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve dhe në mbrojtjen e mjedisit.

Bjorn theksoi se Banka Evropiane e Investimeve, si bankë e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe si institucion më i madh multilateral financiar, mbështet projekte të qëndrueshme që kontribuojnë në realizimin e objektivave strategjike të BE-së, me fokus të veçantë në Evropë.

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut kanë nënshkruar dy marrëveshje kredie me BEI-në, përkatësisht 68 milionë euro për projektin “Ndërtimi i stacionit të trajtimit të ujërave të ndotura për qytetin e Shkupit” dhe 50 milionë euro për projektin “Përmirësimi i infrastrukturës ujore në komunat”, që përfshin 80 komuna në vend. Përveç kredive, BEI siguron edhe grante për asistencë teknike, ndërsa në kuadër të projektit për stacionin e trajtimit të ujërave të ndotura në Shkup janë siguruar 69 milionë euro grante nga Fondi europian për Ballkanin Perëndimor (WBIF), të administruara përmes BEI-së si bankë udhëheqëse e projektit.

Bjorn riafirmoi përkushtimin e BEI-së për mbështetje të plotë në realizimin e projekteve, duke theksuar bashkëpunimin e ngushtë me ekipet e projekteve, pjesëmarrjen e rregullt në takime koordinuese dhe rolin e BEI-së si urë lidhëse ndërmjet institucioneve të Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Të dy palët u dakorduan për vazhdimin e bashkëpunimit intensiv në funksion të zbatimit me sukses të projekteve prioritare në fushën e mjedisit jetësor.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër