Shkup, 25 shtator, Zhurnal.mk – Bashkëkryetari i VLEN‑it, Izet Mexhiti, mori pjesë në mbrëmjen e organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro‑Amerikane në Nju Jork, ku ishte i pranishëm edhe gjenerali Wesley Clark dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Mexhiti theksoi se miqësia e shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara është e veçantë, sepse është ndërtuar nga diplomacia dhe e vulosur nga historia. Ai kujtoi rolin vendimtar të gjeneralit Clark në periudhën më kritike të historisë së re të shqiptarëve, kur aleanca me SHBA mori kuptim historik.
“Edhe sot, pas më shumë se dy dekadash, mirënjohja ndaj tij mbetet po aq e fuqishme. Ishte kënaqësi ta takonim dhe t’i shprehnim nga afër respektin për kontributin e tij dhe të Shteteve të Bashkuara, në një kohë kur shqiptarët kishin më së shumti nevojë për miq dhe aleatë të fuqishëm”, u shpreh Mexhiti.
