Kandidatët për rektor të Universitetit të Tetovës realizuan takim të përbashkët për një proces zgjedhor demokratik dhe transparent

Nga D. V.
210 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 21 maj, Zhurnal.mk – Me iniciativë të Komisionit Universitar Zgjedhor, sot u zhvillua një takim i përbashkët me kandidatët për rektor të Universitetit të Tetovës për mandatin 2026–2029. Takimi u zhvillua në një atmosferë konstruktive dhe akademike, në funksion të garantimit të një procesi zgjedhor demokratik, transparent dhe dinjitoz.
Kryetari i Komisionit Universitar Zgjedhor Prof. Dr. Metin Izeti, shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin e tij ndaj kandidatëve: Prof. Dr. Fehari Ramadanit, Prof. Dr. Kushtrim Ahmetit dhe Prof. Dr. Jusuf Zejnelit, për gatishmërinë dhe kulturën akademike të treguar në zhvillimin e këtij takimi, të cilin e cilësoi si hap të rëndësishëm drejt një gare korrekte dhe me standarde universitare.

Gjatë takimit, kandidatët u informuan mbi kalendarin e aktiviteteve zgjedhore, me theks të veçantë për afatet dhe organizimin e prezantimit të platformave të tyre programore para stafit akademik, përkatësisht trupit votues të Universitetit të Tetovës.

Anëtarët e Komisionit Universitar Zgjedhor, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Universitetit z. Adem Beadini, këtë takim e vlerësuan si një moment të rëndësishëm për forcimin e frymës së bashkëpunimit dhe të kulturës demokratike brenda institucionit, në prag të zgjedhjeve për rektor që do të mbahen më 4 qershor 2026.
Ndërkaq, kandidatët për rektor theksuan nevojën që fushata zgjedhore të përqendrohet kryesisht në prezantimin e vizioneve dhe platformave programore, të orientuara drejt zhvillimit të mëtejmë të Universitetit të Tetovës si institucioni më i rëndësishëm i arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Ata po ashtu nënvizuan përvojën e tyre shumëvjeçare dhe rolet e mëparshme drejtuese, duke theksuar gatishmërinë për t’i funksionalizuar ato në avancimin e Universitetit të Tetovës si një institucion modern, në nivel me universitetet e tjera bashkëkohore.

Në ditët në vijim pritet të realizohen edhe prezantimet zyrtare të platformave programore para stafit akademik të fakulteteve të Universitetit të Tetovës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër