Pekini njoftoi sot një rritje prej 7% të buxhetit të mbrojtjes për vitin 2026, duke planifikuar të shpenzojë rreth 1.9 trilion juanë (276.8 miliardë dollarë) për modernizimin dhe forcimin e ushtrisë së saj.
Vendimi u publikua në hapjen e sesionit vjetor parlamentar “Two Sessions”.
Rritja e buxhetit vjen në një kohë tensionesh të larta me Shtetet e Bashkuara dhe në sfondin e synimeve të Pekinit për të forcuar kontrollin mbi Tajvanin dhe zonat e kontestuara në Detin e Kinës Jugore.
Sipas autoriteteve kineze, fondet do të përdoren për pagat e ushtarakëve, stërvitje të avancuara, operacione pranë Tajvanit, zhvillimin e kapaciteteve kibernetike dhe blerjen e pajisjeve të teknologjisë së lartë.
Kryeministri Li Qiang deklaroi se Kina do të zbatojë projekte të mëdha të mbrojtjes dhe do të forcojë aftësitë ushtarake në pesë vitet e ardhshme për të garantuar sigurinë kombëtare.
Analistët theksojnë se buxheti i Kinës mbetet rreth një e treta e shpenzimeve ushtarake të SHBA-së, e cila vazhdon të jetë fuqia me investimet më të larta në mbrojtje në nivel global. Megjithatë, rritja e vazhdueshme e buxhetit kinez që prej vitit 2016 ka ngritur shqetësime në rajon dhe ka nxitur vende si Tajvani, Japonia dhe Filipinet të rrisin shpenzimet e tyre ushtarake.
Pekini argumenton se politika e tij e mbrojtjes është mbrojtëse dhe synon ruajtjen e sovranitetit, duke përfshirë Tajvanin, të cilin e konsideron pjesë të territorit të vet, ndërsa thekson se ka vetëm një bazë ushtarake jashtë vendit, në Xhibuti.
Ekspertët ndërkombëtarë vlerësojnë se, pavarësisht përparimeve të Kinës në flotë dhe teknologji, Shtetet e Bashkuara ende mbajnë avantazh në përvojë operacionale, teknologji të avancuar dhe rrjete aleancash, duke e bërë balancën e fuqisë komplekse në rast përshkallëzimi.
