Kodi i ri penal – Mos të krijohet përshtypja se më lehtë shpëton ai që ka vjedhur milionat se sa ai që ka vjedhur një fije kashte!

nga Redaksia

Editorial, Agjencia e Lajmeve Zhurnal.mk

Shkup, 23 prill – Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut sërish është rikthyer çështja e Kodit Penal që tangon direkt funksionarët shtetëror. Partia “E Majta” kërkon që me ndryshimet e propozuara të dyfishohet afati për vjetërsimin e veprave penale, si dhe zgjerim i listës së veprave që nuk do të vjetërsohen, sidomos ato të ndërlidhura me krimin ekonomik dhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare.

Qëllimi i propozimit është që të përforcohet politika ndëshkuese dhe të mundësohet ndjekje më efikase e kryerësve, pa dallim kur do të zbulohet vetë akti.

Gjithashtu ata kanë propozuar që në kategorinë e veprave penale që nuk kanë afat parashkrimi të shtohen edhe veprat penale, të cilat lidhen me krimin ekonomik dhe abuzimin me detyrën zyrtare si një nga problemet më të mëdha me të cilat përballet shoqëria dhe sistemi ynë politik.

Kodi Penal u dizejnua për t’i ikur drejtësisë

Më 6 shtator të vitit 2023, Kuvendi i miratoi ndryshimet e Kodit penal, të cilat shkaktuan reagime në opinion, tek profesionistët e drejtësisë dhe Komisionin Evropian. Ndryshimet i kanë zvogëluar dënimet për keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe bashkimit kriminel, gjë që shkaktoi reagime negative. Pushteti LSDM-BDI në atë kohë i kishte elaboruar ndryshimet me harmonizimin e direktivave të BE-së, ndërsa opozita i vlerësoi si tentim për amnisti të funksionarëve.

Por edhe pse ndryshimet e kontestuara ligjore ishin në kundërshtim me sundimin e së drejtës, mbrojtjen e të drejtave pronësore dhe barazinë e promovuar me Kushtetutë, ky ligj u aprovua nga Kuvendi.

Kundër këtij ligji u ndërmorr një iniciativë pranë Gjykatës Kushtetuese, në të cilën iniciativë thuhet se me këto ndryshime privilegjohet një kategori e qytetarëve, për dallim nga personat e dënuar ligjërisht, që kanë trajtim diskriminues dhe për ta nuk vlen ulja e dënimeve.

Gjykata Kushtetuese ngriti procedurë

Në shkurt të vitit 2025 Gjykata Kushtetuese ka vendosur të ngrit procedurë për ndryshimet në Kodin Penal. Shumica e gjyqtarëve në seancë theksuan se duhet të ngritet procedurë për shkak se ligji është i dëmshëm dhe ka pasoja të mëdha, por disa prej tyre argumentuan se nuk është në komptencë të Gjykatës Kushtetuese të vendos për procedurën e miratimit të ligjit në Kuvend.

Me nisjen e procedurës së Gjykatës Kushtetuese për ndryshime në Kodin Penal, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka afat prej gjashtë muajve të bëjë ndryshimet e nevojshme.

“Gjykata në këtë fazë të procedurës ka shprehur dyshimet se disa akte janë në kundërshtim me vlerat themelore të rendit kushtetuese, gjegjësisht është në kundërshtim me shtetin e së drejtës dhe në përputhje me mbrojtjen e garantuar kushtetuese për barazi të të gjithë qytetarëve para Kushtetutës dhe ligjeve”, raportuan atëbotë nga Gjykata Kushtetuese.

Çfarë përfshinte Kodi i ndryshuar penal

Me ndryshimet në Kodin Penal, asnjë zyrtar nuk përballet me dënim më të lartë se 5 vjet burg, nëse keqpërdorë detyrën. Gjithashtu, të gjitha aktet e shpërdorimit të shërbimit të kryera para vitit 2013 iu nënshtruan vjetërsimit (më parë vjetërsimi absolut ishte 40 vjet, ndërsa tani 10).

Kjo ndikoi më shumë në rastet e ish- Prokurorisë Speciale Publike, “TNT”, “Talir”, “Talir 2”, “Thesari”, “Tarifa”, “Dizajni”, “Toplik”, “Titanik”, “Titanik 2”, “Shkallët spanjolle”, “Target-Fortesa” dhe të tjera.

Transparency International- Kodi Penal pengesë për përparimin

Në raportin e fundit të publikuar në janar na ana e Transparency International, ndër të tjera thuhet se ndryshimet në Kodin Penal janë paralajmërimi kryesor i përparimit të dobët të vendit në luftën kundër korrupsionit. Por janë edhe shkak për shqetësim, por edhe “emërimet dhe shkarkimet e gjyqtarëve me motive politike”.

“Sapo filluan të shfaqen disa shenja të vogla progresi, sistemi gjyqësor në Maqedoninë e Veriut (42) u “çrregullua” ndjeshëm nga ndryshimet jodemokratike të bëra në Kodin Penal”, thuhet në raport.

Në të thuhet se vendimi për uljen e dënimeve për shpërdorim detyre për përfitime personale dhe shkurtimin e afateve për fillimin e procedimeve ligjore për rastet e dyshuara për korrupsion është një favor i madh për personat e korruptuar.

“Rreth 200 raste do të vjetërsohen, duke përfshirë ato kundër ish-zyrtarëve të lartë. Emërimet dhe shkarkimet e gjyqtarëve të motivuara politikisht ngrenë shqetësime shtesë për aftësinë e gjyqësorit për të luftuar efektivisht korrupsionin”, thuhet në raport.

Qeveria aktuale e zënë ngushtë!

Iniciativa e partisë “E Majta” duket se i ka zënë ngushtë qeverinë. VMRO-DPMNE dhe ZNAM njoftuan se do ta shqyrtojnë iniciativën para se të marrin qëndrim, ndërkaq Ministria e Drejtësisë po punon për zgjidhjen e dëmeve nga ndryshimet e diskutueshme.

LSDM mbështet ligje më të rrepta për zyrtarët, por është kundër zgjidhjeve ad hoc. Ata besojnë se një Kod i ri Penal, i hartuar me ekspertë të BE-së dhe i bazuar në modelin gjerman, është hapi i duhur përpara. Partitë shqiptare ende nuk kanë dhënë ndonjë njoftim, pasi siç duket më tepër kanë hallin e tyre të brendshëm se sa këto problematika të rëndësishme.

VLEN që aktaulisht është në pushtet, gjatë kohës sa ishte në opozitë e akuzoi BDI-në se me këtë Kod Penal po amnistonte klikën e të dënuarve të VMRO DPMNE-së, ku përfshihej Gruevski e Mijalkov.

Sidoqoftë, duhet të bëhet një analizë e mirëfilltë nga të gjitha partitë para se të merret një vendim final.

Është e qartë se askush nuk dëshiron që funksionarët të shpëtojnë pa u ndëshkuar, por këtu duhet të kihet parasysh se sa është i drejtë dhe i besueshëm sistemi i drejtësisë në vend.

Me rëndësi është që mos të krijohet përshtypja se më lehtë shpëton ai që ka vjedhur milionat se sa ai që ka vjedhur një fije kashte!

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More