Kufi moshe 30 vjeç për akomodim në konviktet shtetërore dhe masa më të ashpra disiplinore

Nga Xh M
947 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 10 korrik Zhurnal.mk – Në Kuvend janë dorëzuar ndryshime në Ligjin për Standardin Studentor, me të cilat parashikohen kushte më të rrepta për akomodimin në konviktet shtetërore të studentëve, si dhe vendosja e kufirit maksimal të moshës prej 30 vjeç për përfitimin dhe shfrytëzimin e një vendi në konvikt.

Sipas propozim-ndryshimeve, do të zbatohen masa edukative dhe ndëshkuese ndaj studentëve që shkelin rregullat e konvikteve. Mes shkeljeve të parashikuara janë pirja e duhanit në dhoma, futja dhe konsumimi i alkoolit, dëmtimi i inventarit, lëshimi i muzikës me zë të lartë dhe mosmbajtja e higjienës.

Për shkeljet më të rënda, studentëve mund t’u ndalohet përdorimi i shërbimeve të të gjitha konvikteve shtetërore në territorin e vendit për një periudhë nga një deri në pesë vjet. Në këtë kategori përfshihen, ndër të tjera, futja dhe konsumimi i alkoolit në dhoma, dhënia e dhomës një personi tjetër për përfitim material, si dhe mospagesa e rregullt e qirasë.

Ndryshimet parashikojnë sanksione edhe për mosraportimin me kohë të defekteve që mund të shkaktojnë dëme materiale, futjen dhe përdorimin e substancave narkotike, mosrespektimin e rregullave për mbrojtje nga sëmundjet, zjarri dhe shpërthimet, përdorimin e substancave helmuese dhe materialeve të tjera të rrezikshme, si dhe shkeljen e rregullave për mbrojtjen e mjedisit.

Gjithashtu, masa ndëshkuese do të pasojnë edhe për sjellje fyese, kërcënuese, agresive ose të dhunshme, ngacmim fizik apo psikologjik, diskriminim dhe forma të tjera të sjelljes së papërshtatshme.

Propozim-ndryshimet në Ligjin për Standardin Studentor janë dorëzuar para tre ditësh dhe mbajnë nënshkrimin e katër deputeteve të VMRO-DPMNE-së.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër