Lajmi i fundit/ Grubi ka qenë nën kërcënim për likuidim

Nga Xh M
562 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 26 shkurt – Tre shënime zyrtare, të cilat sipas procedurës automatike nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) kanë arritur në Prokuroria Publike (PP), janë argumentet kyçe mbi të cilat prokurori Daniel Kocev ka kërkuar masën e arrestit shtëpiak për ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi, duke u thirrur në rrezikimin e sigurisë së tij në paraburgim.

Sipas informacioneve jozyrtare të TV 24 nga hetimi, informacionin kyç se Grubit i kanosej likuidim nga një person me të kaluar kriminale, Agjencia për Siguri Kombëtare (ASK) e ka marrë nga një shërbim i jashtëm më shumë se një vit më parë, dhe më pas e ka përcjellë në MPB, ndërsa kjo e fundit në mënyrë zyrtare në Prokurori.

“Para një viti, në ASK u drejtua një shërbim inteligjent nga një vend fqinj me të dhëna të përgjuara se ndaj Artan Grubit ekziston rrezik për jetën dhe kërcënim për likuidim nga një person me të kaluar kriminale dhe i njohur në rrethet kriminale”, ka deklaruar për TV 24 një burim nga hetimi.

Sipas të njëjtit burim, pas këtij informacioni Grubi ka marrë mbrojtje policore, të cilën e ka shfrytëzuar deri në largimin e tij nga vendi. Ndërkohë, MPB ka ndarë edhe informacione të tjera me Prokurorinë, të cilat kanë ardhur si njohuri nga institucione të ndryshme dhe që tregonin se ish-zëvendëskryeministri i parë dhe bashkëpunëtori më i afërt i Ali Ahmeti nuk është i sigurt.

Sipas të njëjtave burime, një nga informacionet është dërguar pas largimit të tij nga vendi. Nuk ka detaje për rreziqe të tjera që mund ta kenë kërcënuar Grubin, përveç kërcënimeve për likuidim që, sipas këtyre burimeve, janë marrë nga një shërbim i huaj.

Burime të TV 24 si nga ASK ashtu edhe nga MPB pretendojnë se vlerësimi i sigurisë, në të cilin është mbështetur Prokuroria për të kërkuar arrest shtëpiak në vend të paraburgimit në burgun e Shutkës, nuk është bërë pas kthimit të Grubit në vend, kur ai u ndalua në pikëkalimin kufitar Bllacë dhe u dërgua në paraburgim në Shutkë, ku qëndroi vetëm disa orë.

Zyrtarisht, nga ASK nuk kanë dashur të komentojnë, ndërsa nga MPB në mënyrë indirekte kanë konfirmuar informacionet e TV 24, duke theksuar se policia nuk ka bërë asnjë vlerësim se ku Grubi do të ishte më i sigurt apo më pak i sigurt.

“Ministria e Punëve të Brendshme, në përputhje me kompetencat e saj ligjore, i ka ndarë me Prokurorinë Publike të gjitha informacionet dhe njohuritë që posedonte lidhur me personin konkret, përfshirë edhe informacionet nga Agjencia për Siguri Kombëtare. Në vijim të procedurës, vendimet për kërkimin dhe caktimin e masave i merr ekskluzivisht Prokuroria kompetente dhe gjykata”, thuhet në reagim.

Pretendimet e Prokurorisë se qelia në Shutkë është e pasigurt për Grubin i ka hedhur poshtë edhe drejtori i burgut, Boban Utkovski. Ai ka deklaruar për TV 24 se asnjë institucion nuk ka kërkuar dhe as nuk ka kryer kontroll sigurie.

“Asnjë përfaqësues nga MPB apo ASK nuk është drejtuar, as me shkrim e as gojarisht, tek unë apo tek institucioni që unë drejtoj për të kërkuar mendim lidhur me sigurinë në perimetrin që ne e sigurojmë. Në këtë kontekst, unë këtu do të ndalem. Le të prononcohen vetë shërbimet, ASK dhe MPB, nëse vlerësimi që kanë dhënë përputhet me realitetin”, ka deklaruar ai.

Pas reagimeve të shumta lidhur me zëvendësimin e paraburgimit efektiv me arrest shtëpiak, me kërkesë si të Prokurorisë ashtu edhe të avokatit të Grubit, nga Prokuroria kanë njoftuar se masa e arrestit shtëpiak, veçanërisht kur realizohet me mbikëqyrje 24-orëshe, është gjithashtu masë paraburgimi, e cila nuk zbatohet në kushte burgu vetëm për shkak të ekzistimit të rrethanave specifike.

Sipas tyre, këto rrethana në rastin konkret kanë qenë të përmbushura, pasi sipas vlerësimit të organeve kompetente – MPB dhe ASK – ekzistojnë informacione serioze se në repartin e paraburgimit nuk mund të garantohet siguria personale e të dyshuarit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër