Levica: VMRO‑DPMNE e ka shpërblyer Fetain, njeriun që me muaj nuk shkonte në punë, por merrte rrogë

Nga D V
736 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 30 korrik, Zhurnal.mk – Në një reagim publik, Levica akuzon se në një shtet ku qytetarët me mund fitojnë paga të mjerueshme, Qeveria e VMRO‑DPMNE-së ka krijuar një kastë të privilegjuar politike, në të cilën mos‑punimi është rruga më e sigurt drejt një funksioni më të lartë. Sipas partisë, Arben Fetai, i cili “me muaj nuk paraqitej në punë, por merrte rrogë nga paratë e qytetarëve”, sot është shpërblyer me status diplomatik dhe titull të ri shtetëror.

“Nga zëvendëskryeministër për qeverisje të mirë, funksion që me të u shndërrua në oksimoronin më të shtrenjtë politik në shtet, brenda natës u bë i dërguar i posaçëm.
Mickoski, në vend që të dërgojë mesazh se keqpërdorimi i funksionit publik sjell përgjegjësi, tregoi se mund të përkulet edhe më thellë para VREDI-t.
‘Mbrojtësit e vetëshpallur të dinjitetit’ sërish e përkulën shtyllën kurrizore.
Të njëjtët që ndërtuan karrierë politike mbi parulla patriotike, sot pa asnjë grimë turpi i kthejnë funksionet shtetërore në zhetona për pazare në tavolinën koalicionare.
Kur në pyetje janë kolltukët, zhduken të gjitha vijat e kuqe, avullojnë betimet solemne dhe shembet e gjithë skena teatrale e parimeve. Mbetet vetëm instinkti i zhveshur për mbijetesë të pushtetit”, thuhet në kumtesë.

Në vend të përgjegjësisë për muajt në të cilët opinioni pyeste “ku është njeriu që merr rrogë shtetërore”, ndërsa ai publikonte fotografi nga udhëtime private në Tajlandë, Levica thotë se pasojnë pasaportë diplomatike, kabinet i ri dhe edhe më shumë privilegje.

“Në vend të sanksionit, ai shpërblehet dhe promovohet.
Kështu duket ‘sistemi i meritave’ i Mickoskit – sistem në të cilin nuk vlerësohen puna, profesionalizmi dhe rezultatet, por përshtatshmëria politike, bindja koalicionare dhe gatishmëria për të sakrifikuar interesin shtetëror për edhe një ditë më shumë pushtet”, thuhet më tej.

Levica akuzon se VMRO‑DPMNE nuk e menaxhon shtetin, por borxhet koalicionare.

“Çdo funksion i ri është këst i një marrëveshjeje politike, çdo institucion është monedhë pazari, dhe çdo përkulje paguhet me para publike.
Kur pushteti fillon të promovojë ata që nuk kanë punuar, ndërsa punëtori i ndershëm maqedonas duhet të fitojë çdo pagë të mjerë me djersë dhe mund, atëherë nuk poshtërohet vetëm institucioni, por çdo qytetar që financon këtë tregti të turpshme politike”, përfundon kumtesa.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër