LSDM: Buxheti është bosh, rrezikohen pensionet dhe shtylla e dytë pensionale

Nga Xh M
1,942 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 28 qershor Zhurnal.mk – Partia opozitare LSDM akuzon Qeverinë e udhëhequr nga Hristijan Mickoski se po e shkatërron në mënyrë sistematike sistemin pensional në Maqedoninë e Veriut, duke paralajmëruar se mungesa e mjeteve financiare rrezikon pagesën e pensioneve dhe funksionimin e shtyllës së dytë pensionale.

Në një konferencë për media, anëtarja e Këshillit Ekzekutiv të LSDM-së, Renata Mladenovska, deklaroi se mungesa e fondeve në Fondin për Sigurim Pensional dhe Invalidor (PIOM) është rritur në 40 për qind, ndërsa sipas saj, është vënë në pikëpyetje edhe e ardhmja e shtyllës së dytë pensionale.

Ajo iu referua edhe deklaratës së guvernatorit Trajko Sllaveski, sipas të cilit deri në 80 për qind e qytetarëve që do të dalin në pension në periudhën 2030–2032 nuk do të arrijnë të sigurojnë as pensionin minimal.

Sipas LSDM-së, Qeveria po planifikon dobësimin ose shfuqizimin e shtyllës së dytë pensionale, duke rikthyer kontributet e punëtorëve nga fondet private në fondin shtetëror PIOM. Sipas opozitës, një veprim i tillë do t’i bëjë pensionistët e ardhshëm të varen vetëm nga buxheti i shtetit, i cili, sipas tyre, tashmë ndodhet në gjendje të rënduar financiare.

Mladenovska akuzoi gjithashtu Qeverinë se për vetëm dy vjet e ka rritur borxhin publik me 2.5 miliardë euro dhe se deficiti buxhetor për të gjithë vitin është shpenzuar që në gjysmën e parë të vitit.

LSDM vlerëson se shkaku kryesor i kësaj situate janë, siç i quajti ajo, tenderët korruptivë partiakë, duke shtuar se fondet që duhet të përdoreshin për pensione, shëndetësi, arsim dhe paga po përfundojnë në duart e individëve të afërt me pushtetin.

Sipas opozitës, politikat e Qeverisë rrezikojnë jo vetëm pensionet e pensionistëve aktualë, por edhe sigurinë financiare të gjeneratave të ardhshme.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër