Shkup, 20 Mars, Zhurnal – Krerët shtetërorë dhe liderët politikë në Maqedonia e Veriut kanë uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Fitër Bajramit, duke përcjellë mesazhe për paqe, solidaritet dhe bashkëjetesë.
Kryeministri Hristijan Mickoski përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ua uroi festën besimtarëve të fesë islame.
“Gëzuar Ramazan Bajramin të gjithë besimtarëve të fesë islame! Në këto ditë të shenjta, kur përmbyllet muaji i agjërimit, durimit dhe përkushtimit shpirtëror, të kujtojmë vlerat e vërteta që na bashkojnë si njerëz: respektin, solidaritetin, humanizmin dhe kujdesin për tjetrin. Kjo festë na mëson se forca e një shoqërie matet me gatishmërinë për të ndihmuar dhe për të treguar mirëkuptim”, thuhet në urimin e kryeministrit Mickoski.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi uroi besimtarët e fesë islame me dëshira për shëndet, paqe, gëzim dhe mirëqenie.
“Të nderuar qytetarë të fesë islame, më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, t’ju uroj festën e madhe të Ramazan Bajramit, duke ju dëshiruar shëndet, paqe, gëzim dhe mirëqenie”, thuhet në urimin e Gashit.
Pas ditëve të agjërimit, lutjes dhe solidaritetit, theksohet më tej, kjo festë na rikujton vlerat e përhershme të humanizmit, respektit dhe ndihmës reciproke.
“Kjo festë e madhe sjell mesazhe dashurie, mëshire dhe bashkimi – vlera thelbësore për ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe harmonike. Ditët e Bajramit ju sjellshin paqe në familje dhe shpresë në zemra. Le të vazhdojmë të kultivojmë bashkëjetesën dhe tolerancën si themele të së ardhmes sonë të përbashkët. Gëzuar Ramazan Bajramin!”, theksohet në urimin e kryeparlamentarit, Afrim Gashi.
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova gjithashtu u dërgoi urim besimtarëve të fesë islame dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, reis-ul-ulema h. hfz. Shaqir ef. Fetahu.
“I nderuar reis-ul-ulema h. hfz. Shaqir ef. Fetahu, juve personalisht, anëtarëve të Rijasetit, myftinjve dhe imamëve, si dhe të gjithë besimtarëve myslimanë në Maqedoni, ju uroj përzemërsisht festën e madhe – Ramazan Bajramin. Kjo festë është më shumë se një traditë; ajo është shprehje e besimit të thellë, spiritualitetit, mëshirës, harmonisë dhe dashurisë”, thuhet në urimin e saj.
Energjia dhe ngrohtësia e muajit të shenjtë, shtohet më tej, nuk ndihen vetëm në objektet fetare islame dhe në shtëpitë e besimtarëve, por në të gjithë shoqërinë.
“Në një kohë kur njerëzimi përballet me konflikte, luftëra, kriza dhe ndryshime klimatike, dhe kur kemi nevojë për paqe e stabilitet, vetëm përmes unitetit dhe respektit mund të ndërtojmë një shoqëri të shëndetshme dhe një atdhe të begatë. Le ta ruajmë këtë frymë gjatë gjithë vitit!”, theksohet në urimin e presidentes.
Bilall Kasami, kryetari i komunës së Tetovës, ka uruar gjithë besimtarët myslimanë me rastin e Fitër Bajramit.
“Pas një muaji reflektimi, sakrifice dhe përkushtimi, sot festojmë! Gëzuar Fitër Bajramin gjithë besimtarëve myslimanë. Uroj që ky Bajram t’ju sjellë paqe, lumturi dhe begati në familjet tuaja. Le të jetë një moment i afrimit të zemrave dhe gëzimit të shpirtit,” shkruan Kasami.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka përshëndetur sot besimtarët muslimanë me rastin e Fitër Bajramit, duke u dërguar urimet më të përzemërta për shëndet, paqe dhe begati në familjet e tyre.
Në mesazhin e tij të Bajramit, Ahmeti theksoi se pas një muaji përkushtimi, reflektimi dhe sakrifice gjatë Ramazanit, kjo festë e madhe rikthen në vëmendje vlerat themelore njerëzore si solidariteti, mirëkuptimi dhe dashuria për njëri‑tjetrin.
“Uroj që agjërimi juaj të jetë i pranuar dhe kjo festë të sjellë gëzim, harmoni dhe mbarësi për të gjithë,” deklaroi Ahmeti, duke u uruar të gjithë qytetarëve një festë të gëzuar dhe plot paqe.
Mesazhi i tij përfshin një lutje që secili të angazhohet për të qenë më i mirë ndaj vetes, ndaj të tjerëve dhe ndaj shoqërisë në tërësi. Gëzuar Fitër Bajramin! – përfundon urimi i kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti.
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, me rastin e festës së Fitër Bajramit, përcolli urimet e tij për të gjithë qytetarët, duke dëshiruar shëndet, paqe dhe begati në çdo familje.
Ai theksoi se kjo festë vjen pas një muaji përkushtimi, sakrifice dhe reflektimi, si një moment me vlerë të veçantë shpirtërore dhe shoqërore.
“Fitër Bajrami është një thirrje për të forcuar vlerat që na mbajnë bashkë, solidaritetin, mirëkuptimin dhe kujdesin për njëri-tjetrin. Le të jetë kjo festë një moment afrimi mes njerëzve dhe një burim shprese e mirësi për çdo familje,” theksoi Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Në urimin e tij, Kryetari Mexhiti uroi që kjo festë të sjellë më shumë harmoni, mirësi dhe unitet në shoqëri, duke rikujtuar rëndësinë e vlerave që na bashkojnë si komunitet.
VLEN në mesazhin e saj thotë se “pas një muaji përkushtimi, sakrifice dhe reflektimi, kjo festë vjen si një kujtesë e fuqishme për vlerat që na bashkojnë: solidaritetin, mëshirën, faljen dhe kujdesin për njëri-tjetrin”.
“Bajrami nuk është vetëm gëzim familjar, por edhe moment për të ndarë, për të ndihmuar dhe për të forcuar lidhjet mes njerëzve. Në këtë frymë, urojmë që çdo shtëpi të mbushet me paqe, shëndet dhe begati, ndërsa zemrat me mirëkuptim dhe shpresë për një të ardhme më të mirë për të gjithë. VLEN mbetet e përkushtuar për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë, më solidare dhe më të barabartë për çdo qytetar. Gëzuar Fitër Bajramin!”, thuhet në komunikatën e VLEN-it.
Menduh Thaçi nga PDSH gjithashtu dërgoi urime me rastin e festës.
“Në emrin tim personal dhe në emër të Partisë Demokratike Shqiptare, me rastin e festës së Fitër Bajramit, ju përcjell urimet më të sinqerta për paqe, shëndet dhe begati në familjet tuaja. Kjo festë e shenjtë le të na afrojë më shumë me njëri-tjetrin, duke forcuar vlerat e solidaritetit, mirëkuptimit dhe humanizmit. Uroj që gëzimi i kësaj dite të mbushë zemrat tuaja dhe të sjellë harmoni në çdo shtëpi.
Gëzuar Fitër Bajramin!”, ka shkruar kryetari Thaçi në rrjetet sociale.
Kryetari i Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), Venko Filipçe, ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Fitër Bajramit, duke përcjellë mesazhe për paqe, shëndet dhe mirëqenie.
Në urimin e tij, Filipçe uroi që ditët e shenjta të Bajramit të sjellin shëndet, qetësi dhe begati në çdo familje, duke theksuar rëndësinë e kësaj feste si moment reflektimi dhe afrimi mes njerëzve.
Ai vlerësoi se Fitër Bajrami përfaqëson një festë të humanizmit, respektit të ndërsjellë dhe mirëkuptimit, ku sipas tij, më së shumti ndjehet forca e bashkimit dhe solidaritetit në shoqëri.
Filipçe bëri thirrje që këto vlera të shërbejnë si udhërrëfyes për të vazhduar ndërtimin e një shteti të drejtë, solidar dhe të bashkuar për të gjithë qytetarët, duke theksuar se dallimet janë forcë, ndërsa bashkimi mbetet vlera më e madhe e shoqërisë.
Në fund, ai uroi që kjo festë të rikthehet për shumë vite me gëzim dhe harmoni për të gjithë besimtarët.
