Tiranë, 11 maj, Zhurnal.mk – Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani në kuadër të 10 Majit, ditës kombëtare të Drejtësisë, mikpriti në institucion një grup studentësh të Fakultetit Juridik të Universitetit të Tiranës, me të cilët ndau pikëpamje për reformën në drejtësi, pritshmëritë e publikut, si dhe objektin e veprimtarisë së institucionit që drejton.
I shoqëruar nga këshilltarja magjistrate Arjeta Lika, ndihmësinspektori Julis Zebi, përgjegjësi i sektorit të Ndihmës dhe Koordinimit të Informacionit Elis Kuçi dhe specialistja e marrëdhënieve me publikun Zilije Feçi, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani iu përgjigj interesit të studentëve edhe mbi zbatimin e Reformës në Drejtësi.
Ai theksoi se 10 vite më pas, mund të konstatohet se Reforma në Drejtësi ka kontribuar në krijimin e një sistemi, ku asnjë pushtet nuk mund të jetë abuzues. Gjithashtu, Metani shtoi se legjislacioni ka garantuar më shumë pavarësi për magjistratët, por njëkohësisht ka forcuar mekanizmat e kontrollit dhe të llogaridhënies së tyre.
“Natyrisht nuk jemi ende aty ku duhet, por Kushtetuta dhe ligji sot nuk krijojnë asnjë mundësi, që institucionet në procesin e vendimmarrjes së tyre të kenë ndikim të paligjshëm, politik apo çdo lloj tjetër”, tha Metani.
Sipas Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, kjo pavarësi e garantuar me ligj për çdo gjyqtar e prokuror është një fuqi e madhe për të ndikuar në zhvillimin e shoqërisë e konsolidimin e shtetit të së drejtës, ku dhënia e drejtësisë nuk konsiderohet privilegj apo rastësi, por detyrim dhe e drejtë e çdo individi.
Duke vijuar më tej, Metani shtoi se ”pavarësia që i jep Kushtetuta gjyqtarit, në fakt nuk është një pavarësi që i jepet atij, por si përfitim për qytetarin e të drejtën që i takon”.
Në përgjigje të interesimit për funksionimin e ILD-së, Metani u shpjegoi të rinjve konceptin e ndarjes së pushteteve, pavarësinë e tyre dhe rolin e ILD-së mes tre pushteteve, ekzekutivit, legjislativit dhe gjyqësorit, ndërsa shtoi se Kushtetuta e ka parashikuar ILD-në, si një mekanizëm për të kontrolluar dhe mbikëqyrur punën e gjyqësorit, sa i takon shkeljeve apo abuzimeve, por pa cenuar pavarësinë e tyre në vendimmarrje.
Metani vuri në dukje se ”vendimmarrjen e një magjistrati e kontrollon vetëm një gjykatë e një shkalle më të lartë. Edhe nëse Inspektori i Lartë i Drejtësisë konstaton shkelje proceduriale që sjellin pasojë, heton dhe procedon magjistratin. Edhe nëse shkarkohet ai, kjo nuk prek vendimin gjyqësor”.
Gjatë bashkëbisedimit me studentët, Inspektori i Lartë i Drejtësisë u ndal edhe tek inspektimet, të cilat monitorojnë fenomene të caktuara në gjykata e prokurori, si zvarritjet në zbardhjen e vendimeve gjyqësore për shembull, duke verifikuar afatet, respektimin apo shkeljen e tyre, e duke përgatitur një raport në përfundim me rekomandimet përkatëse, të cilat nëse janë të karakterit ligjor i dërgohen si propozime Ministrisë së Drejtësisë, e në raste të tjera lihen propozime, që i dërgohen Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, gjetja e balancës mes ngarkesës dhe neglizhencës së magjistratëve është një pikë që nuk kërkon vendimmarrje emocionale, por një analizë të plotë.
Në fund të fjalës së tij, Inspektori i Lartë i Drejtësisë i ftoi studentët të bëhen pjesë në intershipe, për të parë nga afër punën që bëhet në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Interesimi i studentëve vijoi mbi llojet e shkeljeve të magjistratëve, afatet e trajtimit të ankesave dhe arsyet e arkivimit të tyre, si dhe mbi vendimmarrjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD). Gjithashtu u trajtua çështja e mënyrës së fillimit të hetimit nga ILD, nëse ai nis vetëm mbi bazën e një ankese apo edhe me iniciativë. Për këto pyetje u dhanë përgjigje nga magjistratja Arjeta Lika dhe ndihmësinspektori Julis Zebi.
