Mickoski dhe BDI përplasen përsëri për gjuhën shqipe

Nga D. V.
1,509 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 13 Mars, Zhurnal.mk – Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski përsëri e ka arsyetuar refuzimin e përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës për studentët shqiptarë, me siç tha ai “pamundësisë” së harmonizimit automatik të Ligjit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës me Ligjin për Përdorim të Gjuhëve.


“Ligji për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës është një ligj i veçantë ose lex specialis. Nuk mund ta sinkronizosh automatikisht lex specialis me lex generalis”, tha Mickoski, mbrëmë në një intervistë për TV Ora 24, shkruan Zhurnal.mk


Sipas Mickoskit, qeveria paska formuar një grup pune brenda qeverisëi cili sipas tij “ po punon dhe po analizon nëse është e mundur që ligjërisht dhe kushtetutshëm të ndahet dhënia e provimit të jurisprudencës nga gjykimi brenda sistemit gjyqësor të shtetit.”


“Nëse arrijmë të gjejmë një metodologji dhe një mënyrë që do të sigurojë barazi për të gjithë ata që japin provimin e jurisprudencës, dhe në të njëjtën kohë të mos kemi interpretime të ndryshme të vendimeve gjyqësore për shkak të dygjuhësisë, domethënë nëse pranojmë që maqedonishtja është gjuha që do të mbizotërojë në sistemin gjyqësor, atëherë mendoj se shumë shpejt nga sot do të gjejmë një zgjidhje,” tha Kryeministri, i cili e fajin për përplasjet për çështjen në fjalë e hodhi tek qeveritë e kaluara.


“…ky është një problem i trashëguar nga të njëjtët që ishin në qeveri për 20 vjet dhe nuk arritën të gjejnë një mënyrë për ta zgjidhur atë”, tha ai, duke shkaktuar kështu reagim nga ana e BDI-së.
Sipas BDI-së Mickoski më këtë deklaratë për “problem të trashëguar” synon që të arsyetojë qeverinë e tij për të mos zbatuar ligjin për gjuhët.


“Deklarata e Kryeministrit se çështja e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe është “problem i trashëguar” është një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë për moszbatimin e një të drejte që buron drejtpërdrejt nga Kushtetuta dhe nga Ligji për përdorimin e gjuhëve,” tha BDI në një komunikatë të sotme.


“Gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ky nuk është interpretim politik, por realitet kushtetues dhe ligjor që duhet të respektohet nga çdo institucion shtetëror. Ligji për përdorimin e gjuhëve u miratua për të garantuar barazinë gjuhësore dhe për të përforcuar karakterin multietnik të shtetit. Përpjekjet për ta paraqitur këtë ligj si “problem” apo për të transferuar përgjegjësinë tek të tjerët nuk i shërbejnë as së vërtetës dhe as stabilitetit institucional të vendit,” tha partia opozitare shqiptare.


“Studentët shqiptarë nuk po kërkojnë privilegje. Ata kërkojnë vetëm zbatimin e Kushtetutës dhe të ligjeve në fuqi. Qeveria ka obligim të zbatojë ligjin, jo ta relativizojë atë përmes arsyetimeve politike. Çdo vonesë apo pengesë në realizimin e kësaj të drejte përbën një hap prapa për barazinë dhe për standardet demokratike të shtetit. Republika e Maqedonisë së Veriut është ndërtuar mbi parimin e barazisë ndërmjet komuniteteve dhe respektimit të të drejtave gjuhësore. Këto parime nuk janë të negociueshme dhe nuk mund të trajtohen si “probleme të trashëguara”, por si obligime që duhet të zbatohen,” përfundon komunikatën BDI, shkruan Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër