Shkup, 08 maj, Zhurnal.mk – Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski, ka reaguar ndaj deklaratave të ish-ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani, lidhur me projekt-ligjin për Përfaqësim të Drejtë, duke thënë se komentet e Osmanit zbulojnë synimet e tij politike.
Mickoski theksoi se projekt-ligji është në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe se është harmonizuar me vlerësimet e Komisionit të Venecias.
“Kërcënimet e Bujar Osmanit tregojnë vetëm se cilat janë qëllimet e tij të vërteta. Është një ligj që është miratuar nga Komisioni i Venecias dhe që përmbush të gjitha kërkesat ndërkombëtare. Përndryshe, nuk kam çfarë të them për përmbajtjen e deklaratës së tij. Supozoj se është folklori me të cilin po vepron, në mënyrë që ta dëgjojmë. Kemi një marrëveshje ndërkoalicionale, ligji është dërguar në Kuvend dhe pres që të miratohet sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi Mickoski.
Reagimi i kryeministrit vjen pasi Osmani kritikoi ashpër qasjen e qeverisë ndaj ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe paralajmëroi pasoja politike nëse, sipas tij, preket balanca ndëretnike dhe përfaqësimi i shqiptarëve në institucione.
Osmani kishte deklaruar se ky ligj nuk duhet të përdoret për të cenuar mekanizmat e përfaqësimit të drejtë dhe kishte akuzuar qeverinë se po tenton të zbehë të drejtat e fituara të shqiptarëve. Ai paralajmëroi se çdo veprim i njëanshëm mund të prodhojë tensione politike dhe reagim të fuqishëm nga faktori shqiptar.
