Ministri gjerman e qorton Vuçiçin për shkak të keqësimeve në sundimin e ligjit

Nga D. V.
323 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Beograd, 26 Mars, Zhurnal.mk – Ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Johann Wadephul, ka shprehur “vërejtjet” e tij mbi gjendjen aktuale të ligjit dhe rendit në Serbi, gjatë një bisede telefonike me kryetarin e Serbisë Aleksandar Vuçiç.


“Biseduam për marrëdhëniet dypalëshe midis Serbisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë, dhe tema më e rëndësishme ishte rruga evropiane e vendit tonë. Dëgjova me kujdes të gjitha vërejtjet e ministrit gjerman dhe thashë se Serbia do të punojë shumë për reformat, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit”, tha Vuçiç përmes Facebook-ut pasi bisedoi me ministrin gjerman.


Deri më tash nuk ka njoftim për shtyp nga Wadephul mbi bisedën telefonike.
“Vërejtjet” e tij vijnë pas disa kritikave të shprehura nga Komisioni Evropian (KE) dhe disa anëtarë të Parlamentit Evropian (PE) mbi gjendjen aktuale në Serbi në strukturat gjyqësore.


Opozita akuzon Vuçiçin dhe Partinë e tij Progresive (SNS) në pushtet se po bëhen një regjim autoritar.
Kritikat shpërthyen së fundmi, përfshirë edhe me ndryshimet kontroverse të ligjit në leximin e parë mbi zyrën e prokurorit. Opozita dhe KE thonë se Vuçiç dhe SNS po përpiqen që të ngulfasin pavarësinë e zyrës së prokurorit pas disa padive që ajo ka ngritur kundër zyrtarëve dhe anëtarëve të SNS-së.
Sundimi i ligjit në Serbi është përkeqësuar veçanërisht pas shembjes së tendës së stacionit të trenit në qytetin verior të Novi Sadit, kur vdiqën 16 persona, përfshirë një student.


Aksidenti tragjik ka shkaktuar protesta të gjera dhe pothuajse të përditshme nga studentët dhe opozita, duke akuzuar Vuçiçin dhe bashkëpunëtorët e tij për korrupsion në sektorin e ndërtimit, i cili sipas tyre çoi në vdekjen e 16 personave.
13 persona janë akuzuar nga prokuroria, përfshirë një ish-ministër të ndërtimit, por gjyqtarët e gjykatës paraprake nën ndikimin e Vuçiçit dhe SNS-së e hodhën poshtë padinë ndaj ish-ministrit Goran Vesiç dhe pesë zyrtarëve të tjerë.


Komisionerja Evropiane përgjegjëse për zgjerimin e BE-së, Marta Kos, gjithashtu ka drejtuar kritika për kthimin prapa të demokracisë në Serbi.


“Është një kthim prapa… tani po analizojmë nëse jemi ende në gjendje t’i shpërndajmë paratë përmes instrumenteve të ndryshme financiare në Serbi dhe nuk duket mirë”, tha Marta Kos para dy dite në një intervistë me Politico kur u pyet për gjendjen aktuale të demokracisë në Serbi.
Studentët thonë se e vetmja mënyrë për llogaridhënie të plotë është ndryshimi i regjimit dhe tash ata po bëjnë thirrje për zgjedhje të parakohshme.


Studentët po përgatiten që të garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare përmes Listës së Studentëve që do të përbëhet nga profesorë dhe personalitete jo-politike deri më tash.
Një testim i parë për studentët është 29 marsi në zgjedhjet komunale në dhjetë komuna.
Sipas një anketa të re të opinionit me qytetarët, nëse studentët, partitë opozitare dhe lëvizjet qytetare të Serbisë do të merrnin pjesë në një listë të përbashkët, ata do të fitonin zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat Vuçiç thotë se mund të mbahen në fund të këtij viti.


Disa parti opozitare tashmë po shprehin dëshirën e tyre për një listë të përbashkët me Listën e Studentëve për zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërsa disa të tjera janë ende të pavendosura.
Anketa e NSPM-së (Mendimi i Ri Politik Serb) i kryer në dhjetor thotë se një listë e përbashkët e të tre palëve do të merrte 53,9 përqind të votave, ndërsa SNS-ja e Vuçiçit dhe partitë e saj partnere 46,1 përqind.


Vuçiç planifikon të japë dorëheqjen nga posti i tashëm më herët dhe të kandidojë për postin e kryeministrit, pasi nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë për kryetar shteti.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër