Mucunski nga Sarajeva: As Bashkimi Evropian, as vendet e rajonit nuk kanë luksin të humbasin kohë

Nga D V
1,459 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 9 qershor, Zhurnal.mk – Zgjerimi i Bashkimit Evropian drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të vazhdojë me ritëm të përshpejtuar, sepse sot paraqet jo vetëm proces politik, por edhe interes strategjik gjeopolitik për Evropën. Ky ishte një nga mesazhet kryesore të samitit të Partisë Popullore Evropiane (EPP), i cili u mbajt në Sarajevë, raporton TRN, transmeton Zhurnal.

Liderët e grupimit më të madh politik në Parlamentin Evropian vlerësuan se integrimi i rajonit është kyç për sigurimin e paqes afatgjatë, stabilitetit dhe sigurisë në kontinentin evropian. Kryetari i EPP, Manfred Weber, theksoi se Bashkimi Evropian ka bërë një kthesë të rëndësishme në qasjen e tij ndaj zgjerimit.

“Brukseli e ka ndryshuar qasjen ndaj zgjerimit nga burokratike në gjeopolitike. Por, përparimi do të varet sërish nga zbatimi i reformave”, tha Weber.

Ai paralajmëroi se tek një pjesë e qytetarëve evropianë ende ekzistojnë rezerva për zgjerimin e ri, ndaj sipas tij është e domosdoshme një vizion i qartë për kufijtë e ardhshëm dhe rolin e Unionit. Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq vlerësoi se BE nuk duhet të lejojë që vendet e rajonit të mbeten shumë gjatë në “dhomën e pritjes” për anëtarësim.

“Pas agresionit rus ndaj Ukrainës, rrethanat politike janë ndryshuar. Ky moment duhet shfrytëzuar, sepse askush nuk e di kur sërish do të hapet një mundësi e tillë”, theksoi Plenkoviq.

Në samit mori pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë, Timço Mucunski, i cili tha se vonesat në eurointegrime nuk janë më opsion i qëndrueshëm.

“As Bashkimi Evropian, as vendet e rajonit nuk kanë luksin të humbasin kohë. Zgjerimi është përgjigjja më e mirë ndaj sfidave aktuale gjeopolitike”, tha Mucunski.

Qëndrimet e tyre i paraqitën edhe liderë nga vendet e tjera të rajonit. Kryeministri malazez Milojko Spajiq nënvizoi përkushtimin e Podgoricës ndaj reformave dhe rrugës evropiane, ndërsa kryetarja e parlamentit serb Ana Brnabiq tha se Serbia mbetet e orientuar fuqishëm drejt anëtarësimit në BE, edhe pse pranoi se aktualisht është prapa Malit të Zi dhe Shqipërisë në procesin e anëtarësimit.

Nga Bosnja dhe Hercegovina, kryetarja e Këshillit të Ministrave Borjana Kristo theksoi se përparimi drejt BE-së do të varet nga aftësia e faktorëve politikë vendas për të arritur kompromis mbi reformat kyçe dhe rregullat zgjedhore.

Samiti në Sarajevë dërgoi një mesazh të qartë se Ballkani Perëndimor mbetet lart në agjendën evropiane, ndërsa zgjerimi shihet gjithnjë e më shumë si çështje sigurie dhe gjeopolitike, e jo vetëm si proces administrativ.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër