Ndërsa gazi po kthehet në armën kryesore të sigurisë energjetike në Evropë, Shtetet e Bashkuara po shtyjnë fuqishëm projekte të reja në Ballkanin Perëndimor. Nga Shqipëria në Bosnje e Hercegovinë, rrjeti i ri po merr formë. Por, në hartën e re që po krijohet, Kosova mungon.
Në pesë vjetët e fundit, qasja e Kosovës ndaj gazit ka qenë më shumë një “tërhiq e mos e këput” sesa një politikë e vendosur. Nga një projekt konkret me mbështetje amerikane, te refuzimi i tij në vitin 2021, e deri te rikthimi i diskutimeve për mundësi të reja këtë vit, vendi është ende pa një drejtim të qartë.
Në Samitin Trans-Atlantik për Sigurinë e Gazit, të mbajtur në shkurt në Uashington, ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, tani në detyrë, shprehu gatishmërinë e Kosovës për t’u furnizuar me gaz natyror nga Shtetet e Bashkuara, duke e përshkruar bashkëpunimin si “vendimtar” për një sektor të sigurt energjetik.
Për një vend si Kosova, ku rreth 90 për qind e energjisë elektrike prodhohet ende nga qymyri, dhe vetëm rreth 10 për qind vjen nga burime të ripërtëritshme si uji, era dhe dielli, është fakt që gazi mund të shërbejë si alternativë për të thyer varësinë e thellë nga një burim i vetëm.
Por, gjatë javëve të fundit, kur SHBA-ja dhe kompani amerikane kanë nënshkruar marrëveshje miliardëshe me disa vende të Ballkanit Perëndimor – për të zgjeruar ndikimin energjetik në rajon – Kosova nuk ka qenë pjesë e kësaj vale investimesh.
Në iniciativa të rëndësishme kanë hyrë: Shqipëria, Kroacia dhe Bosnje e Hercegovina, përfshirë edhe në një projekt të madh për ndërtimin e një tubacioni gazi që synon ta shkëpusë Sarajevën nga furnizimet ruse.
Për sekretarin amerikan të Energjisë, Chris Wright, kjo nënkupton një epokë të re bashkëpunimi me Evropën Qendrore dhe Lindore.
“Këto partneritete bazohen në mbështetjen tonë të ndërsjellë për një agjendë të zgjerimit energjetik – dhe kjo dëshmohet nga marrëveshjet me vlerë prej miliarda dollarësh, që janë nënshkruar”, shkroi Wright në X.
Edhe pse pa një rol të qartë në këto zhvillime, Kosova nuk është jashtë vëmendjes së Shteteve të Bashkuara. I dërguari i posaçëm i Departamentit amerikan të Energjisë, Joshua Volz, thotë për Radion Evropa e Lirë se sistemi energjetik i Kosovës ka nevojë urgjente për modernizim – çfarë krijon mundësi të mëdha për industrinë amerikane që të investojë.
Megjithatë, ai thekson se projektet e mëdha do të varen nga vetë Kosova, përkatësisht përmirësimi i mjedisit biznesor dhe rregullator në vend.
“Duhet të bëhen hapa për t’i nxitur investimet private amerikane dhe financimet ndërkombëtare që të vijnë në Kosovë. Për këtë po punojnë Departamenti i Tregtisë, Departamenti i Thesarit dhe Departamenti i Shtetit i SHBA-së. Nëse dhe kur dinamikat e tregut ndryshojnë dhe mjedisi i biznesit bëhet më tërheqës, Departamenti i Energjisë do të jetë i gatshëm të ndihmojë në ndërmjetësim mes industrisë amerikane dhe partnerëve industrialë në Kosovë”, thotë Volz.
Volz shprehet optimist dhe thekson se lidhja e Kosovës me infrastrukturën rajonale të gazit është tashmë pjesë e diskutimeve që po zhvillohen.
“Qëllimi ynë është që burimet energjetike amerikane të arrijnë te të gjithë partnerët dhe aleatët tanë, që janë të interesuar për një bashkëpunim afatgjatë energjetik me industrinë amerikane dhe me Shtetet e Bashkuara”, thotë ai.
Radio Evropa e Lirë pyeti Ministrinë e Ekonomisë së Kosovës nëse ekziston ndonjë plan apo afat konkret për lidhjen me rrjetin rajonal, për mundësitë e ndërtimit të infrastrukturës së gazit dhe për bisedimet me zyrtarët amerikanë, por nuk mori përgjigje as pas një jave pritjeje.
Aktualisht, Kosova përfiton nga programi Kompakt i Qeverisë amerikane, me vlerë mbi 230 milionë euro, i cili është i fokusuar në energji të pastër dhe stabilitet të furnizimit. Si pjesë e tij, vendi tashmë ka siguruar bateri me kapacitet të lartë për ruajtjen e energjisë.
E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, tha në një ngjarje këtë javë se ky investim është dizajnuar pikërisht për të adresuar furnizimin e paqëndrueshëm me energji në Kosovë – një problem që prej vitesh ndikon negativisht në biznese, familje dhe konkurrencë.
“Asnjë përparim nuk ndodh në izolim. Shtetet e Bashkuara e mbështesin Kosovën në këto përpjekje, por suksesi varet nga angazhimi i vazhdueshëm i Qeverisë së Kosovës, sektorit privat, institucioneve financiare dhe shoqërisë civile”, tha Prattipati.
Pesë vjet më parë, Kosova hoqi dorë nga projekti për ndërtimin e infrastrukturës së gazit, i financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit e SHBA-së. Atëkohë, ministrja e Energjisë, Artane Rizvanolli, tha se “nevojiten më shumë informacione për të qenë të sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin energjetik”.
“Gazsjellësi do të bëhet nëse është në interes të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës dhe në përputhje me Strategjinë e Kosovës. Së pari bëhet Strategjia, e pastaj merren vendime për projekte specifike”, tha Rizvanolli në një seancë të Kuvendit, më 18 nëntor 2021.
