Shkup, 17 shkurt – Dobësi dhe mospërputhje me rregulloret ligjore konfirmoi revizioni i Klinikës së Onkologjisë, deklaroi një përfaqësues nga Enti Shtetëror i Revizionit, i cili shpjegoi në detaje se si dhe pse është kryer revizioni i Klinikës Universitare për Radioterapi dhe Onkologji (UNRO) për vitin 2021, në seancën e sotme dëgjimore për rastin “Onkologjia 2”.
“Revizioni është kryer në përputhje me programin e rregullt vjetor të ESHR-së për vitin 2021, të miratuar përmes një procedure të rregullt në fund të vitit 2021 në dhjetor – deklaroi përfaqësuesi, duke theksuar se raporti i referohet raporteve financiare për atë vit dhe se në të janë theksuar mospërputhjet me ligjin dhe dobësitë në përdorimin e mjeteve.
Ai shpjegoi se metodologjia e revizionit kërkon që të theksohet çdo situatë e konstatuar në kundërshtim me një bazë specifike ligjore.
“Kur themi dobësi në raportin tonë të revizionit, kjo është terminologji revizioni, megjithatë vetë situata tregon për veprim që është në kundërshtim me një detyrim të caktuar ligjor”, shpjegoi ai.
Në pjesën për regjistrimin e mjeteve, dëshmitari theksoi se revizorët kanë konstatuar mospërputhje.
“Me regjistrimin nuk është përcaktuar gjendja dhe nuk janë përshkruar m hollësisht një pjesë e mjeteve me të cilat disponon Klinika, si objektet ndërtimore, mjetet jomateriale, automjetet e udhëtarëve dhe mjetet materiale në përgatitje. Në një pjesë të fletave regjistruese nuk janë shënuar treguesit e vlerës dhe nuk është kryer harmonizimi i vlerës së të dhanve nga regjistrimi i fizik i kryer me të dhënat nga evidenca e kontabilitetit. Në raportin nga regjistrimi i kryer nuk është theksuar gjendja e mjeteve të përhershme dhe gjendja me rezervat e ilaçeve, reagentëve dhe materialit mjekësor shpenzues”, tha ai.
Përfaqësuesi i ESHR-së konkludoi se kjo situatë kishte një ndikim të drejtpërdrejtë në besueshmërinë e raporteve financiare të klinikës. Përveç kësaj, ai theksoi se plani për prokurimin e terapisë biologjike nuk ishte rezultat i një kolegiumi profesional, por bazohej vetëm në të dhëna historike mbi sasitë e ilaçeve të konsumuara, gjë që krijon rrezikun e përcaktimit selektiv të terapisë, pa analizë profesionale.
Përfaqësuesi iu referua edhe ndryshimeve në evidentimin e ilaçeve.
“Në evidencën e kontabilitetit, ekziston një ndryshim midis të dhënave mujore për ilaçet e lëshuara nga farmacia dhe ilaçet e pranuara në njësitë organizative të klinikës. Mospërputhja është rezultat i faktit se një pjesë e të ashtuquajturës terapi biologjike është blerë me fletë pranim, para lidhjes së një kontrate për prokurim publik, dhe në kohën e marrjes dhe lëshimit të saj, nuk është futur çmimi në regjistrat materiale të klinikës”, tha ai.
Në vazhdim dëshmitari përsëriti se plani për prokurimin e terapisë biologjike nuk ishte rezultat i një kolegiumi profesionalë, por është përgatitur në bazë të disa të dhënave mbi sasitë e ilaçeve të konsumuara.
“Gjatë vitit 2021, mjekët kanë vendosur se cilët pacientë do të merrnin terapi biologjike, për të cilën miratim u dha nga drejtori mjekësor, pa marrë parasysh nëse klinika kishte sasi të mjaftueshme ilaçesh për të mbuluar nevojat e të gjithë pacientëve të cilëve u ishte përshkruar terapia”, theksoi dëshmitari.
Kjo situatë, siç shpjegoi, krijon rrezikun e përcaktimit subjektiv dhe selektiv të ilaçeve për të cilat miratohet buxheti i kushtëzuar, i cili nuk mbështetet me analiza dhe propozime profesionale.
“Në klinikë nuk është miratuar asnjë protokoll apo udhëzues mjekësor që do të vendoste rregulla dhe do të përcaktonte kriteret që një pacient duhet të përmbushë për të marrë terapi biologjike”, theksoi ai.
Dëshmitari konkludoi se praktika të tilla krijojnë rrezikun që terapia biologjike të mos jetë në dispozicion të barabartë për të gjithë pacientët, gjë që është në kundërshtim me dispozitat ligjore.
Sipas raportit, ai ndau se në vitin 2021, terapia biologjike u prokurua në një kohë kur procedura për një prokurim të tillë, siç tha, nuk ishte zbatuar ende nga Ministria e Shëndetësisë.
“Duke marrë parasysh që për pjesën më të madhe të terapisë biologjike vetëm një operator ekonomik ka të drejtën ekskluzive për shitje, e njëjta prokurohet me fletë pranim, faturat përgatiten nga klinika pas përfundimit të prokurimit publik. Pa u thelluar në nevojën për ofrimin e vazhdueshëm dhe në kohë të terapisë biologjike, konkludojmë se metoda e vendosur e prokurimit ndikon në respektimin e parimit të konkurrencës”, tha ai.
Gjykimi vazhdon me pyetje të kryqëzuara nga mbrojtja.
Në rastin “Onkologjia 2” , Vasev dhe Nuhi akuzohen se në periudhën midis viteve 2018 deri 2022, kanë siguruar ilaçe në mënyrë të paligjshme, i kanë fshehur ato përmes tenderëve fiktivë dhe kanë përvetësuar një pjesë të terapisë, duke dëmtuar kështu buxhetin e shtetit me gati 36 milionë euro. Të dy të akuzuarit mohojnë fajësinë dhe pretendojnë se procesi është i motivuar politikisht.
Përveç rastit “Onkologjia 2”, është duke vazhduar edhe procedura “Onkologjia 1”, në të cilën Vasev dhe dy mjekë të tjerë akuzohen për trajtim neglizhent të pacientëve.
