Opozita mungoi, Mazniku: Ndryshojmë formulën, zhbllokojmë punën e komisionit për reformën territoriale

nga D. V.

Mazhoranca do t’i drejtohet nesër Kuvendit me një kërkesë për ndryshimin e formulës së përfaqësimit në komisionin e posaçëm për reformën administrativo-territoriale me synimin për të garantuar një mekanizëm zhbllokues, në kushtet kur opozita nuk merr pjesë në punimet e komisionit.

Dita e sotme ishte afati i fundit që i ishte vendosur opozitës nga anëtarët e mazhorancës në këtë komision, për t’u bërë pjesë e mbledhjeve të këtij komisioni.

Në nisje të mbledhjes së sotme ku mungonin përfaqësuesit e opozitës në komision, bashkëkryetari i komisionit, Arbjan Mazniku bëri të ditur se mazhoranca do t’i kërkojë Kuvendit shtimin e një anëtari të PS-së në komision, si dhe kalimin e pozicionit të bashkëkryetarit që i përket PD-së në statusin e nënkryetarit të komisionit.

“I kemi kërkuar parlamentit javën që kaloi që të ndryshojmë formulën e komisionit, për të shtuar një anëtar në anën e mazhorancës që të kemi mekanizëm zhbllokues. Opozita do të ketë vendin e saj me 8 anëtarë në komision. Po ashtu kemi kërkuar që nga bashkëkryesi komisioni të ketë nënkryetar, që të fillojmë të punojmë për këtë proces”, tha Mazniku.

Mazniku kujtoi se kur komisioni u krijua me kërkesë të opozitës, pavarësisht përbërjes së parlamentit, u ra dakord duke pasur parasysh edhe rëndësinë e komisionit të kishte elementë bashkëkryesie dhe përfaqësim të barabartë në komision.

“Nisur nga fakti se kjo reformë ka rëndësi të madhe ne donim t’i jepnim gjithë mundësitë opozitës për të pasur pjesëmarrje dhe për t’i dhënë asaj garanci speciale edhe përtej praktikës më të mirë parlamentare europiane”, tha Mazniku.

Por aktualisht, sipas tij, mungesa e opozitës ka sjellë humbjen e dy muajve kohë për një reformë që është me ngut.

Duke sqaruar hapat e mëtejshëm që do të ndjekë komisioni, Mazniku theksoi se komisioni do të ndahet në tre grupe të mëdha dhe secili grup do të mbulojë katër qarqe.

Gjatë muajit shkurt, ai theksoi se anëtarët e komisionit bashkë me ekspertët do të dalin në terren për të zhvilluar konsultim publik.

Ndërsa në mars, sipas tij, do të zhvillohet faza e dytë e konsultimeve tematike. “Të gjitha këto diskutime do të mblidhen së bashku dhe në muajin prill-maj fillojmë procesin e hartimit formal të ligjit”, tha ai.

Duke folur për rëndësinë dhe nxitimin që ka ky proces, Manziku theksoi se kjo reformë duhet të përfshijë një diskutim tërësor, për të qenë më efikase dhe për t’i shërbyer më mirë shqiptarëve.

Një tjetër element me rëndësi, sipas tij, është edhe përgatitja e bashkive për të tërhequr fonde nga Bashkimi Europian dhe për t’i vendosur ato në shërbim të komunitetit.

“Ne kemi një dritare kohe që nuk e humbasim dot. Në zgjedhjet e vitit 2027 duhet të shkojmë me një reformë të re dhe nga viti 2027, deri në vitin 2029 bashkitë duhet të bëhen gati. Kemi plan pune të qartë, ndaj dhe do t’i drejtohemi nesër seancës për të ndryshuar formulën e komisionit dhe për të fituar kohën e humbur”, tha Mazniku.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More