Pas 18 vitesh nëpër labirintet gjyqësore, përfundon golgota për të akuzuarit në rastin “Izgrev”

Nga Xh M
797 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 5 qershor Zhurnal.mk – Pas 18 vitesh nëpër labirintet gjyqësore, të akuzuarit në rastin “Izgrev” më në fund do të marrin një aktgjykim të formës së prerë lirues. Në seancën publike të mbajtur të mërkurën në Gjykatën e Apelit, Prokuroria e Lartë Publike kërkoi që të refuzohet ankesa e paraqitur nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e cila kishte kundërshtuar aktgjykimin lirues të shkallës së parë.

“Kjo do të thotë se ‘Izgrev’ ka përfunduar. Tani presim vetëm konfirmimin me shkrim të vendimit lirues të Gjykatës Penale”, deklaroi për “Fokus” Gorgi Miladinov, një nga të akuzuarit në këtë rast.

Këtij procesi iu deshën plot 18 vite për të vërtetuar se të akuzuarit ishin ndjekur padrejtësisht penalisht dhe se ndaj tyre ishin shqiptuar dënime të padrejta. Gjatë viteve, në këtë lëndë u ndërruan disa prokurorë dhe gjyqtarë, ndërsa prokurori i parë i rastit, Gjoko Ristov, përfundoi vetë pas hekurave. Ai pretendonte se në rastin “Izgrev” ishte kryer pastrim parash, por më vonë u arrestua pikërisht për të njëjtën vepër penale, pasi në shtëpinë e tij familjare u gjetën të fshehura 350.000 euro.

Përveç simbolikës së këtij zhvillimi, për të akuzuarit më në fund ka ardhur drejtësia, ndërsa shteti mund të përballet me pagesa milionëshe dëmshpërblimi për traumat e përjetuara gjatë viteve, si dhe për mbulimin e shpenzimeve gjyqësore dhe avokatore.

Rasti “Izgrev” filloi në fund të vitit 2008 dhe hyri në gjykatë në vitin 2009, kur vëllezërit Miladinov u akuzuan për keqpërdorime financiare dhe manipulime lidhur me hotelin “Izgrev” në Strugë. Për bashkëpunim në veprat e pretenduara penale u akuzuan edhe disa avokatë, gjyqtarë dhe noterë.

Gjatë viteve u dhanë disa aktgjykime të shkallës së parë, të cilat u rrëzuan nga Gjykata e Apelit. Nga vendimi fillestar dënues me dënime të larta me burg, procesi gradualisht u zbeh dhe aktgjykimet liruese u bënë gjithnjë e më të mundshme.

Së fundmi, gjyqtarja Daniela Dimovska e arsyetoi aktgjykimin lirues në 70 faqe. Ajo theksoi se procesi gjyqësor kishte zgjatur tepër dhe kishte krijuar pasiguri juridike për të akuzuarit.

“Para se të arsyetojë shkaqet e aktgjykimit lirues, Gjykata konsideron të nevojshme të konstatojë se procedura paraprake dhe ajo gjyqësore janë zhvilluar në një periudhë joproporcionale kohore, gjë që cenon efikasitetin e procedurës dhe mund të vlerësohet si e paarsyeshme nga aspekti i të drejtës për një gjykim të drejtë dhe efikas”, thuhet në vendim.

Gjykata vlerësoi se zgjatja e procedurës ka krijuar pasiguri juridike dhe ka cenuar parimin e ekonomizimit dhe racionalitetit të procesit gjyqësor.

“Vetëm procedura para gjykatave ka zgjatur 16 vjet, nga viti 2009 deri në vitin 2025. Edhe pse sipas ligjit procedural të atëhershëm nuk kishte kufizim se sa herë një vendim i shkallës së parë mund të shfuqizohej dhe lënda të kthehej në rigjykim, kjo nuk duhet të krijojë pasiguri juridike për të akuzuarit për një periudhë kaq të gjatë”, thuhet më tej në aktgjykim.

Përfundimi kryesor i gjykatës ishte se të akuzuarit nuk mund të ndiqeshin për veprën penale “pastrim parash”, pasi mjetet financiare në fjalë rridhnin nga një kredi bankare dhe përbënin mjete të ligjshme.

Vëllezërit Miladinov dhe i akuzuari Dimitrija Golaboski kaluan 642 ditë në paraburgim, në një qeli prej vetëm 12 metrash katrorë. Më shumë se një dekadë më parë, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg konstatoi se ata ishin mbajtur në paraburgim në mënyrë të paligjshme gjatë procesit gjyqësor për rastin “Izgrev”, duke u akorduar secilit nga 3.000 euro dëmshpërblim dhe 1.350 euro për shpenzime gjyqësore.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër