Shkup, 15 nëntor Zhurnal.mk – Qytetarët vazhdojnë të përballen me shpenzime të larta për shërbimet shëndetësore. Deri në 42 për qind të shpenzimeve shëndetësore qytetarët i mbulojnë nga xhepi i tyre, konstaton Komisioni Evropian në Raportin e Progresit. Edhe pse kujdesi shëndetësor parësor ofrohet falas, shumë shërbime specialistike, trajtime spitalore dhe barna kërkojnë pagesë shtesë. Për qytetarët, veçanërisht ata me të ardhura të ulëta, këto shpenzime janë barrë e rëndë financiare.
“Jam pensionist dhe e kam atë kuponin dhe nuk paguaj me çmim të plotë, kështu që nuk do të mund të komentoja”, tha një qytetar
Problemi bëhet edhe më i madh kur pacientët kanë nevojë për shërbime që nuk mbulohen nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor. Qytetarët thonë se atëherë detyrohen të paguajnë vetë, ndërsa çmimet në institucionet private janë të larta.
“Tani, e gjithë kjo që mbulohet nga fondi është e pranueshme, mirëpo ka shumë gjëra që bëhen privatisht, në spitale private, shërohen, ato janë shumë të shtrenjta. Ajo që nuk mbulohet nga Fondi duhet të blihet privatisht dhe kjo është mjaft e shtrenjtë për pjesën më të madhe të qytetarëve, jo për të gjithë”, vlerëson një qytetare.
Disa qytetarët e tjerë thonë se mundësia për të përballuar shpenzimet shëndetësore varet nga të ardhurat familjare. Ata vlerësojnë shërbimet në institucionet shëndetësore private, por kërkojnë kushte më të mira edhe në spitalet publike.
“Varet nga të ardhurat e familjes, për pjesën dërrmuese nuk janë të pranueshme, vërtet janë shumë të shtrenjta. Të gjithë do të dëshironim të shkonim në institucione shëndetësore private, shërbimi është më i mirë dhe kushtet higjienike janë të mira, ndërsa në institucionet shtetërore ka vërtet specialistë të mirë, mirëpo kushtet higjienike duhet të përmirësohen pak”, theksoi një qytetar tjetër.
Përveç shpenzimeve të larta për pacientët, Komisioni Evropian thekson edhe mungesën e mjekëve dhe infermierëve, si dhe largimin e personelit shëndetësor jashtë vendit dhe drejt sektorit privat. KE kërkon më shumë investime, transparencë dhe reforma në shëndetësi, në mënyrë që kujdesi shëndetësor të jetë më cilësor dhe i qasshëm për të gjithë qytetarët, pa u bërë barrë për buxhetin e tyre familjar.

